Kryedemokrati Sali Berisha vijoi sot me një tjetër denoncim, ku pretendon për vjedhje votash në zonën e Babrrusë në kryeqytet në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Sipas tij, eksponentë të Partisë Socialiste kanë blerë vota nga zgjedhësit.

“Narkoqeveria e kreut të organizatës kriminale, Edi Ramës, nuk u mjaftua me shpërndarjen e 76 milionë eurove, 100 euro për pensionist, në total 48 përqind të votuesve për blerjen e votës. Me dhurimin e 200 milionë eurove gjoba dhe kamata 2 ditë para zgjedhjeve. Nuk u mjaftua me firmosjen e dhjetëra mijëra lejeve të legalizimit, certifikatave të pronësisë. Me përdorimin e dhjetëra mijëra automjeteve, të gjitha të shtetit dhe pa asnjë lidhje me fushatat elektorale. Nuk u mjaftua me punësimin e mbi 10 mijë punonjësve për votë në qeverisjen lokale dhe qendrore, por ajo kaloi direkt dhe në blerje vote duke shpërndarë fshehtas para për zgjedhësit shqiptarë.

Natyrisht shpërndarja e fshehtë e parave është vështirë të kapet sepse ata që kryejnë këtë krim elektoral, bëjnë çdo gjë që të fshihen gjurmët e tij dhe të mos dalë. Megjithatë kamerat e qytetarëve syçelët kanë filmuar momentin kriminal të ndarjes së parave për vota. Dhe kjo jo të themi pas Dajtit apo në Mokër apo në Tropojë apo në zonat më të largëta. Jo, kjo në Tiranë, në Babrru dhe urdhëroni videon që do u paraqes sot para jush. Personazhet në video janë të identifikuar plotësisht. Janë eksponentë të thekur të PS. Të bëjmë një marrëveshje: A mund të quhen zgjedhje, zgjedhjet në të cilat shteti, i quajtur shtet, përdor të gjithë financat e tij për të blerë vota? Përdor të gjithë fuqinë ekzekutive, me leje, me licenca, etj, për të blerë vota. A mund të quhen zgjedhje ato në të cilat shteti licencon mbjelljen e 29 mijë hektarë kanabis nga 200 hektarë që parashikon ligji çdo vit? A mund të quhen zgjedhje?”.