Një zbulim i rrallë arkeologjik ka ardhur nga Belgjika, ku shkencëtarët kanë rindërtuar fytyrën e një gruaje që jetoi rreth 10.500 vjet më parë, në epokën mezolitike.

Sipas një raportimi të publikuar nga The Times, bëhet fjalë për mbetjet e një gruaje që u gjetën në shpellën Margaux pranë qytetit Dinant, gjatë gërmimeve arkeologjike në fund të viteve 1980. Ajo i përkiste një grupi të hershëm gjuetarësh-mbledhës dhe, falë analizës së ADN-së së lashtë, studiuesit kanë rindërtuar pamjen e saj me një saktësi të lartë.

“Pamja e saj përfshin sy blu, flokë të errët dhe lëkurë pak më të çelët se shumica e individëve të asaj epoke,” – tha për CNN arkeologia Isabelle De Groote, nga Universiteti i Ghent-it, e cila drejtoi projektin kërkimor mbi Belgjikën Mezolitike.
Sipas De Groote, gruaja ishte rreth 35 deri në 60 vjeç dhe kishte veçori fizike të veçanta si një hundë me urë të lartë dhe kreshta të theksuara vetullash, të ngjashme me ato të “Njeriut Cheddar”, një tjetër gjetje e famshme në Mbretërinë e Bashkuar nga po e njëjta periudhë.

Gjetjet sfidojnë bindjet për ngjyrën e lëkurës së evropianëve të hershëm
Studiuesit theksojnë se rindërtimi bazohet në ADN të cilësisë së lartë, e nxjerrë nga kafka e ruajtur mirë. Ata zbuluan se, ndryshe nga supozimet e mëparshme, njerëzit e periudhës mezolitike nuk kishin ngjyrë uniforme të lëkurës, por një variacion të gjerë brenda të njëjtit rajon.

“Është paksa befasuese, por edhe e pritshme që ka pasur ndryshueshmëri në lëkurë në Evropën Perëndimore që në atë kohë,” – u shpreh arkeologu Philippe Crombé, bashkëpunëtor në projekt.
Në varret ku u gjetën mbetjet, studiuesit gjetën gjurmë të okërës së kuqe, një pigment natyror shpesh i lidhur me rituale dhe simbolikë. Po ashtu, një nga kafkat kishte shenja prerjeje pas vdekjes, që mendohet të jenë pjesë e ndonjë ceremonie mortore.

Pamja e rindërtuar e gruas është rezultat i një projekti ndërdisiplinor të quajtur ROAM (Regional Outlook on Ancient Migration). Ekipi përdori jo vetëm të dhëna gjenetike, por edhe të dhëna arkeologjike nga vendbanimet pranë lumit Meuse, ku janë gjetur vegla guri, kocka kafshësh dhe mbetje peshqish – dëshmi të një jete nomade të mbështetur te burimet natyrore.

Ekspozita që shfaq fytyrën e rindërtuar pritet të sjellë më shumë informacion mbi jetën, zakonet dhe përkatësinë kulturore të gjuetarëve-mbledhës që jetuan mijëra vjet më parë në Evropë.