Edhe pse vatra e zjarrit në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane në zonën e Myç-Mamëzit, pranë qytetit të Kukësit, vijon të jetë aktive prej 24 orësh.
Intensiteti i tymit që përhapej në drejtim të qytetit është zbehur. Megjithatë, flakët ende nuk janë vënë plotësisht nën kontroll.
Për shuarjen e zjarrit janë angazhuar dy automjete zjarrfikëse me 10 efektivë, si dhe një fadromë, një eskavator dhe katër kamionë të Drejtorisë së Shërbimeve të Bashkisë Kukës.
Puna po vijon pa ndërprerje, ndonëse përballë vështirësive që lidhen kryesisht me terrenin e thyer dhe natyrën e materialeve të djegshme në këtë zonë mbetjesh.
Autoritetet lokale ende nuk kanë dhënë një deklaratë zyrtare mbi shkakun e zjarrit, por burime nga hetimet paraprake nuk përjashtojnë mundësinë e një veprimi të qëllimshëm.
Ndërkohë, Bashkia Kukës dhe strukturat përgjegjëse u bëjnë apel qytetarëve që të mos ndezin zjarre në asnjë rrethanë, pasi kjo përbën vepër penale dhe dënohet nga ligji.
Po ashtu, i ftojnë të gjithë banorët të denoncojnë çdo rast të ngjashëm, për të mundësuar ndërhyrjen në kohë dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve të mundshëm.