Epidemiologu Ilir Alimehmeti është i mendimit se ka ardhur koha e lirimit të masave kufizuese në vend, për shkak të situatës të stabiluar nga COVID-19 dhe afrimit të sezonit veror.
“Maska në ambientet e hapura që de facto në shumicën dërrmuese të rasteve në fakt nuk po përdoret, bën sens që ta heqim dhe nga letra. Masa e dytë që është pak më e fortë është kufizimi i lëvizjes, bën edhe kjo shumë sens që mos të ketë më kufizim të lëvizjes. Nëse çiftohet edhe me hapjen e aktiviteteve, kjo është masë akoma dhe më e madhe por ndoshta ka ardhur momenti dhe për heqjen e saj”-u shpreh ai.
Duke bërë një krahasim me verën e kaluar, epidemiologu thotë se këtë vit përqindja e qytetarëve që e kanë kaluar COVID është më e lartë.
“Duhet evituar përdorimi i restoranteve në ambiente brenda, të përdorim sa më shumë ambientet e jashtme me distancë. Në krahasim me verën e kaluar kur përqindja e atyre që e kishin kaluar ishte shumë e ulët, përqindja që e ka kaluar këtë verë është shumë e lartë e si rrjedhojë ne nuk kemi për ta kuptuar kurrë asnjëherë, kur shohim 100 vetë se sa prej tyre e kanë kaluar. Por, ata kanë informacion për veten dhe kanë informacion për familjen dhe grupin e tyre të ngushtë shoqëror. 2020 ishte shkujdesje e plotë, tani kanë dhe informacion, kështu që mund të mos jetë shkujdesje e painformuar, mund të jetë e informuar”- tha ndër të tjera epidemiologu Ilir Alimehmeti.