Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka hedhur më tepër dritë lidhur me skemën e mashtrimit që ka funksionuar për mbi nëntë vite dhe ka rrënuar mijëra qytetarë shqiptarë, përmes një rrjeti kriminal ku bënin pjesë shoqëri financiare, përmbarimore dhe individë të lidhur mes tyre.
Sipas të dhënave që Newsbomb ka siguruar nga dosja hetimore e SPAK, skema ka sjellë pasoja të rënda ekonomike dhe sociale, me përfitime të paligjshme që kapin shifra të “kripura”.
Ndërkohë që kalojmë në provat e siguruara nga SPAK, na lejoni të theksojmë se Newsbomb ka qenë ndër të parët që ngritën zërin fort dhe denoncuan se si po “boshatiseshin” xhepat e qytetarëve shqiptarë përmes mikrokredive.
Në përfundim të hetimeve janë siguruar të dhëna të sakta se të pandehurit Elda Ibro, Arben Meskuti, Alban Kote, Aldo Daka, Albert Gega, Olsi Ibro (i ndjeri), Andis Gjoka, Vasil Bakallbashi, Yliana Sejfo, Indrit Çuberi, Rigels Bejko, Altin Vako, Helidon Xhindi, Fatos Alimadhi, Lefter Canaj, Roland Deda, Endri Myftari, Personi juridik “Micro Credit Albania” sh.pk., Personi juridik “ADCA” sh.p.k., Personi juridik “Final” sh.p.k., “Zyra e Përmbarimit Privat TDR Group” kanë konsumuar elementët e veprave penale të “Mashtrimit me pasoja të rënda”, “Falsifikimit të dokumentave”, kryer nga personi që ka per detyrë lëshimin e dokumentit, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 143/3; 186/1; 186/3; 333/a dhe 334, paragrafi i parë, të Kodit Penal.
Hetimet për këtë skemë mashtrimi nisën pas tre kallëzimeve të bëra nga Ministria e Drejtësisë përgjatë viteve 2018, 2020 dhe 2024.
Në qendër të hetimeve janë shoqëritë Micro Credit Albania (MCA) dhe Final sh.p.k., të cilat, së bashku me përmbarues privatë dhe zyrat përkatëse, kanë ndërtuar një strukturë të përbashkët kriminale me qëllim përfitimin e paligjshëm nga qytetarët në vështirësi ekonomike.