Bashkimi Evropian ka miratuar një paketë të dytë ndihme prej 15 milionë eurosh në mbështetje të Forcave të Armatosura Shqiptare, në kuadër të Mekanizmit Evropian për Paqen (European Peace Facility).
Lajmi u bë i ditur nga Këshilli i BE-së më 25 korrik dhe u përshëndet nga ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato.
“Një tjetër hap i rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit BE-Shqipëri në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Shqipëria mbetet një partnere e afërt dhe konsistente e politikës së jashtme dhe të sigurisë së BE-së”, shkroi Gonzato në rrjetin social X, duke ndarë njoftimin zyrtar të Këshillit të BE-së.
Sipas njoftimit zyrtar, ndihma financiare prej 15 milionë eurosh do të ndihmojë në përmirësimin e kapaciteteve të Shqipërisë për të kontribuar në operacionet e Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes të BE-së (CSDP), si dhe në misionet ndërkombëtare të sigurisë.