Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur lirimin nga masa e arrestit në shtëpi të kryetarit të Bashkisë Tropojë, Rexh Byberi, si dhe të nënkryetarit Abedin Kërrnaja. Të dy po hetohen për akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe prerjes së paligjshme të pyjeve.

Si masë alternative, ndaj tyre është caktuar detyrimi për t’u paraqitur një herë në muaj në organet kompetente, pasi sipas avokatëve ka përfunduar periudha 6-mujore e masës së sigurisë, duke u bazuar në një vendim të Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen e Mimoza Margjekës.

Në një seancë të mëparshme, gjykata i kërkoi prokurorisë të marrin në pyetje ekspertët që kanë bërë vlerësimin e dëmeve të shkaktuara gjatë ndërtimit të një rruge nga Bashkia Tropojë. Sipas hetimeve, rruga me gjatësi 3.2 kilometra, e cila në pjesën më të madhe kalon mbi një rrugë ekzistuese këmbësore, duhej të kishte marrë lejen e ndërtimit nëpërmjet sistemit elektronik “e-leje”, duke qenë se Bashkia është autoriteti që shqyrton dhe miraton dokumentacionin ligjor dhe teknik për këtë lloj projekti.

Prokuroria gjithashtu thekson se Bashkia Tropojë ishte e detyruar të bashkëpunonte me institucionet përkatëse, si Agjencia Kombëtare e Mjedisit për hartimin e raportit të ndikimit mjedisor, si dhe me Ministrinë përgjegjëse për të vlerësuar ndikimin dhe pasojat e ndërtimit të rrugës së re.

Aktualisht, Rexh Byberi dhe Abedin Kërrnaja ndodhen në arrest shtëpie dhe akuzohen për shpërdorim detyre dhe prerje të paligjshme të pyjeve.