Zbardhet dosja e grabitjes së shtëpisë së prindërve të vartëses së Jonaid Myzyrit, kreu i Komisionit të Prokurimeve Publike, i pezulluar nga detyra me vendim të GJKKO nën dyshimet për abuzime me tenderat.
Zyrtarja e KPP u përgju nga SPAK në biseda përmes të cilave dyshohet se implikon Myzyrin, ndërsa zbulon teksa bisedon me nënën edhe grabitjen në banesë.
Në dosje thuhet se grabitësit e veshur policë jo vetëm morën miliona lekë nga banesa e Skejës në Grorëz të Librazhdit, por i morën peng dhe vëllain, i vunë prangat për ta lënë të lirë më vonë.
Ngjarja është regjistruar më 28 maj 2021.
“Autorët e kësaj ngjarje kanë vajtur me dy automjete të veshur me uniformë policie dhe të armatosur, ku dyshohet se kanë vjedhur një shumë parash.
Nga deklarimet e marra familjarëve rezulton se; në orën 23:40, gjashtë – shtatë persona të paidentifikuar, të veshur me uniforma si të policisë, me armë në duar, me kapele në kokë, me maska kovidi dhe doreza të zeza në duar, kanë hyrë me dhunë në katin e parë të banesës dhe ju kanë thënë Policia, ju jeni kriminelë. Ju kanë marrë telefonat celularë dhe më pas i kanë mbledhur dhe i kanë çuar në një dhomë në katin e dytë të banesës, ndërkohë që kanë dhunuar fizikisht duke e kanë goditur me grushta dhe shkelma shtetasin Gëzim Skeja, ku më pas i kanë vënë prangat dhe katër prej të dyshuarve e kanë çuar në një prej mjeteve të tyre tip foristradë.
Më pas njëri prej tyre e ruante me armë në dorë automatik dhe i thotë a të kanë sjellë vëllezërit ndonjë lekë nga Anglia.
Një prej të dyshuarve ruante familjarët e tjerë të shtëpisë dhe të dyshuarit e tjerë kontrollonin banesën deri sa gjetën një sasi të konsiderueshme lekësh të prerjeve të ndryshme (paund dhe euro). Të konvertuara në 20 000 000 (njëzetë milion) lekë të reja. Pasi kanë marrë paratë ata janë larguar me dy mjetet e tyre duke marrë me vete dhe shtetasin Gëzim Skeja të cilit i kanë thënë që do të dërgojmë në Komisariat në Tiranë sepse kemi urdhër për të të shoqëruar pasi nuk tregon të vërtetën, më pas e kanë zbritur nga mjeti në vendin e quajtur Labinot, ku njëri prej të dyshuarve i ka thënë, na tha shefi je i lirë”, thuhet në dosje.
Ndërsa theksohet Gëzim Skeja, është lënë i lirë në rrugën nacionale Elbasan – Librazhd, në vendin e quajtur Labinot Fushë.
Dosja në fjalë është tërhequr nga SPAK në kuadër të hetimeve që po kryhen ndaj zyrtares së lartë të KPP dhe Myzyrit. Skeja dëgjohet në përgjimet telefonike me nënën e saj: “shërbeva me sy mbyll… e du edhe pikë. E du kështu… firmos ne, të gjithë si delet. Firmën ne e lekët ata”.
Përgjimi i plotë
Speaker A (Lindita): Ça ka lidhje puna ime oj Nonë. Ajo puna ime që për me ashtu, po ata na kishin piketu ne… do vinin e do të vrisnin… ja fut kot, puna puna, ça unë si gjithë dynjaja… ika unë vajtën të tjerët… as… a ka vajt njeri ti vjedh tek shtëpia ata? Ja fut kot oj Nonë. Ai na majti kështu… që krijum besim që ne jemi miqtë e atij… ene rrimë të qetë. Na ofroi mori informacione. Unë vajta dhe i shërbeva si qeni.
Speaker B: Hej zot!
Speaker A (Lindita): Vajta i shërbeva si qeni. I shërbeva me sy mbyll… e du edhe pikë. E du kështu… firmos ne, të gjithë si delet. Ime veme ku të na thërrasin. Rresht. Firmën ne e lekët ata.
Speaker B: A mos i hëngërt o Zot.
Speaker A (Lindita): Bojna se e dini ju se ç’ju boj unë, bojna… Më pas
Speaker A (Lindita): Amin… ata hop mrapë ere… hop mrapa… hop mrapa më çoi mu në KPP… më çoi mu në KPP, përballem atje me lloj lloj pislliku…
Speaker B: Pi hiç ere un s’ve po ene tha Dashi motrës tha mos shko…
Në dosjen hetimore, Prokuroria e Posaçme thekson se “nga rezultati i përgjimeve ngrihen dyshime të arsyeshme që në vendimmarrjen e KPP për shqyrtimin e ankesës me objekt: “Mirëmbajtje rutinë me performancë rruga Rrëshen (Ura e Fanit) – Shpal, Shpal-Q.Bene – Hadroj, Shpal – Ura e Repsit”, me fond limit 219.866.693 lekë pa TVSH si dhe në vendimmarrje të tjera, ekzistojnë elementë të veprimeve të kundraligjshme që mund të kenë ndikuar në këto vendime”./vna