Vrasja e biznesmenit italian Eduardo Sarchi në Tepelenë mbetet ende një mister ndërsa Eqerem Braçi së bashku me të dy djemtë e tij, Gazmend dhe Daniel Braçi janë lënë të lirë nga policia. Armir Hitoveizi është personi i katërt i cili është marrë në pyetje ndërsa emri i tij nuk u bë publik për orë të tëra. Mësohet se Hitoveizi është një banor i zonës.
Pasi janë pyetur për 12 orë nga OPGJ, prokurori, dhe Krimet e Rënda të Tiranës, katër personat Armir Hitoveizi, Eqerem Braçi dhe dy djemtë e tij janë lënë të lirë ndërsa do merren sërish në pyetje nga autoritetet në ditët në vijim.
Deklaratat e tyre kontradiktore kanë bërë që të pyeten disa herë në lidhje me ngjarjen ndërsa hetimet për rastin vijojnë.
Ajo çka dyshohet për momentin është një vrasje nga pakujdesia ndërsa nuk përjashtohet dhe një krim i qëllimshëm.
Një herë ata janë shprehur se kishin dalë për gjah dhe dikush i paditur i ka prerë rrugën dhe ka qëlluar me breshëri. Versioni tjetër është se e gjetën të vdekur në anë të rrugës si dhe që e gjetën të plagosur dhe iu vdiq në duar.
Edoardo Sarchi u gjet nga policia i vdekur në anë të rrugës. Në pjesën e kofshës ai ka një plagë, por që ekpertiza mjeko-ligjore që po kryhet në Tiranë ende nuk e ka konfirmuar nëse është shkaktuar nga amrë zjarri apo një tjetër mjet.
Trupi i viktimës është zhvendosur nga vendi ku është qëlluar, kjo dëshmohet nga gjurmët e gjakut në rrugë që tregojnë zvarritjen e kufomës.
Të parkuara përpara gjurmëve të gjakut është fillimisht një makinë luksoze e llojit Land Rover Defender në pronësi të njërit prej familjes Braçi ndërsa pas është një Volksëagen në pronësi të italianit.
Nuk është e qartë nëse 44-vjeçari italian është vrarë në automjet apo në rrugë, por në makinë nuk është gjetur asnjë gjurmë gjaku.
Gomat e mjetit Land Rover janë konstatuar të dëmtuara, por nuk dihet nëse janë çarë nga plumbat apo me diçka tjetër. Theksohet se ne vendin e ngjarjes nuk janë gjetur gëzhoja.
Burime për media kanë raportuar se italiani gjatë mbrëmjes së djeshme ka qenë në shtëpinë e pushimit të Braçajve e ndodhur në fshatin Salari.
Nga aty ata kanë vendosur të dalin për gjah, ndërsa në zonë nuk ka asnjë kamer sigurie për të hedhur dritë mbi ngjarjen në fjalë.
Vrasja e italianit është e veshur me dëshmi kontradiktore e të dhëna të dyshimta ndërsa një reagim nga Prokuroria e Gjirokastrës pritet të zbardhë më tepër mbi krimin.