Policia ka finalizuar operacionin e koduar “Nënshkrimi”, duke sekuestruar 18 asete me vlerë rreth 3 milionë euro, të dyshuara si të përfituara në mënyrë kriminale nga noteria Sanja Telhallari.
Mes aseteve të sekuestruara janë 13 pasuri të paluajtshme dhe 5 llogari bankare.
“Në kuadër të një procedimi penal, të iniciuar në Prokurorinë e Tiranës, me objekt gjurmimin e aseteve kriminale, të dyshuara të përfituara nga shtetasja S. T., 35 vjeçe, banuese në Tiranë, gjatë kryerjes së detyrës si notere, Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale finalizoi operacionin ‘Nënshkrimi’.
Në vijim të veprimeve procedurale, të kryera në kuadër të këtij procedimi, u ekzekutua vendimi i Gjykatës së Tiranës, për ekzekutimin e 18 pasurive të 35-vjeçares, me vlerë 3 milionë euro, konkretisht 13 pasuri të paluajtshme dhe 5 llogari bankare.”, thuhet në njoftimin për mediat.
Hetimet për pasuritë e noteres kishin disa kohë që kishin nisur. Pikënisja duket se ishte kur tentuan t’i vidhnin makinën.
Hetuesit panë që mjeti luksoz i noteres, si dhe pasuritë e tjera të saj, nuk justifikoheshin nga të ardhurat.
35-vjeçares iu sekuestrua një vilë në zonën e Lundrës dhe disa apartamente e biznese në Tiranë. Llogaritë bankare do të jenë gjithashtu në lupën e hetuesve, pasi dyshohet se noterja ka afro 200 mijë euro në banka të ndryshme.
Ndërkohë, janë edhe pasuri të tjera që dyshohet se janë të saj, por që janë me kontratë porosie dhe jo me certifikatë pronësie. Këto janë ende duke u verifikuar nga grupi hetimor.