Policia e Tiranës ka sekuestruar automjetin “Lamborghini Urus” të 34-vjeçari Sahit Shpataj, një person me precedent për disa vepra penale, ndër to, vjedhje nëpërmjet përvetësimit të padrejtë të detyrës shtetërore.

Por kush është Sahit Shpataj?

Një ndër veprat penale për të cilat ai ka rënë në pranga, është regjistruar në vitin 2014, kur ky i fundit u prezantohej çifteve në rrugë si punonjës policie dhe më pas i grabiste nën kërcënimin e armës. Ngjarjet e përsëritura ishin shënuar kryesisht në Kthesën e Kamzës, Tiranë.

Sipas policisë Sahit Shpataj ndalonte automjetet që kalonin në vendin e lartpërmendur, duke u hequr si punonjës i Policisë së Qarkullimit Rrugor. Ai u kërkonte drejtuesve të mjeteve dokumentet dhe më pas i kërcënonte me pistoletë, duke u marrë shuma të konsiderueshme parash dhe sende të tjera personale.

Edhe në momentin që ai është arrestuar, në atë kohë 23 vjeç, ai mbante veshur uniformën e policisë.

Njoftimi i policisë sot për sekuestrimin e mjetit luksoz: 

Në vijim të operacioneve policore që kanë qëllim gjurmimin dhe sekuestrimin e pasurive me burime kriminale, specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, finalizuan operacionin “Manovra”.

Në kuadër të operacionit, u ndalua në aksin rrugor “Sauk-TEG”, automjeti tip “Lamborghini Urus”, me drejtues shtetasin S. Sh., 34 vjeç, me precedentë për vjedhje nëpërmjet përvetësimit të padrejtë të detyrës shtetërore, dhunë në familje dhe kundërshtim të punonjësve të Policisë.

Nga verifikimet e mëtejshme dyshohet se ky shtetas e kishte regjistruar këtë automjet, në emër të një subjekti tregtar në pronësi të shtetasit E. D., me qëllim justifikimin e vlerës së tij.

Në vijim të veprimeve procedurale nisi procedimi penal për të 2 këta shtetas.Vijojnë hetime për të gjurmuar dhe sekuestruar pasuri të tjera të shtetasit S. Sh.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.