Në fillim të marsit 2025, rreth 8 ton mish pule me salmonelë përfunduan tek konsumatori. Produkti u zbulua nga AKU pas një kontrolli rastësor te subjekti importues “AMG”. Laboratori i ISUV konfirmoi praninë e salmonelës 10 ditë më vonë, ndërsa publiku u njoftua një javë me vonesë. Si pasojë, i gjithë mishi ishte shpërndarë në treg nëpërmjet një rrjeti prej 154 furnitorësh që mbetën të pagjurmuar. Për këtë rast prokuroria e Tiranës nisi hetim ndaj 3 inspektorëve të AKU të dyshuar për 2 vepra penale.
Aso kohe, u ndalua edhe pronari i kompanisë “AMG Food” që solli nga Brazili sasinë e mishit prej 27 tonësh të ndarë në 4 lote por u lirua menjëherë.
“Në rastin konkret kemi ndryshim të një urdhri ministri që thotë se të gjitha ngarkesat nga vendet e treta i detyronte ti nënshtrohen monstrimi deri në dalje të analizës dhe më pas hidhej në treg për konsum human, në rastin konkret kemi një shmangie të bllokimit të produktit deri në daljen e analizave, pra është marrë mostra ndërkohë që produkti ka vijuar drejt konsumatorit, dhe pasi ka dalë përgjigje”, u shpreh Ervin Resuli, ekspert i sigurisë ushqimore.
Në këtë formë veproi edhe kompania “Dimal”. Duke iu referuar rastit të bujshëm të mijëra kg fileto pule që rezultuan me salmonelë, ekspertët thonë se ka pasur një përplasje mes rezultateve të analizave.
Kompania që i kishte importuar nga Brazili nga një stabiliment i certifikuar, me analiza te rregullta që nuk tregonin prani salmonele, dyshoi tek analizat e isuv që rezultuan pozitive me salmonelë. Subjekti i dërgoi në Greqi.
“Në momentin kur rezulton me probleme, sepse ka dyshime gjithmonë për analizat, kompanitë vetë bëjnë vetë analiza edhe jashtë Shqipërisë, sepse në rastin konkret ka rezultuar pa salmonelë kur e kanë dërguar në Greqi. Kompanitë kur qëndron analiza kanë të drejtë ta rikthejnë në Brazil, me kostot e kompanisë ekspertuese. Ata kanë të drejtën e tyre të zgjedhin një laborator për të treguar të vërtetën e tyre laboratori në gri pa salmonelë, edhe në Brazil pa salmonelë”, u shpreh Granit Sokolaj, ekspert i sigurisë ushqimore.
Misioni i integrimit, dobësitë e konstatuara në progres-raport për sigurinë ushqimore dhe rënia e bujqësisë
Siguria ushqimore është një ndër kriteret që Shqipëria duhet të përmbushë për tu anëtarësuar në BE. Mungesa e një sistemi të fortë gjurmueshmërie, kontrolli i dobët dhe ping-pongu i përgjegjësive mes institucioneve, janë arsyet që të mos marrë vlerësim pozitiv në asnjë progres raport.
Në dokumentin e publikuar në fund të tetorit 2024, kapitulli 12, “Siguria ushqimore, politika veterinare dhe fitosanitare” lë një sërë detyrash shtëpie që duhen përmbushur. Konsiderohet se Shqipëria ka bërë shumë pak progres në raport me sigurinë ushqimore.
Raporti evidenton se korniza ligjore ende nuk është në përputhje me Rregulloren e Përgjithshme të Ligjit për Ushqimin.
Edhe sa i përket politikës veterinare, raporti vëren se legjislacioni kombëtar nuk është në përputhje me ligjin e BE-së për shëndetin e kafshëve; reforma e sektorit veterinar mbetet e paplotë; burimet njerëzore nuk janë siguruar plotësisht në nivel qendror dhe lokal.
Raporti sugjeron se duhet të forcohen kapacitetet për zbatimin e programeve të mbikëqyrjes dhe vaksinimit të sëmundjeve infektive të kafshëve, duke përfshirë tërbimin. Ndonëse është bërë përparim i kufizuar në zhvillimin e kapaciteteve dhe akreditimit për rrjetin laboratorik, ende nuk ka metoda të validuara për të garantuar besueshmërinë e rezultateve.
“Më besoni plotësimi i kapitullit 12, që është siguria ushqimore, do të jetë një nga kapitujt me të vështirë për tu përmbushur. Edhe progres raporti i vitit të kaluar është raporti më i keq…”
Transparenca dhe komunikimi i rrezikut nga institucionet përgjegjëse, që janë AKU dhe Ministria e Bujqësisë, është një nga hallkat e dobëta që nënvizohet edhe në progres raport. Edhe pse ligji i detyron, ato nuk informojnë publikun në kohë reale për produktet e rrezikshme. Kjo konstatohet edhe në materialet e publikuara në këtë investigim. Ndonëse AKU thotë se ka marrë qindra mostra për analizim, rezultate nuk bëhen asnjëherë publike.
Raporti sugjeron se parimi i transparencës duhet të zbatohet për sistemet zyrtare të kontrollit si dhe mungon një plan kombëtar shumëvjeçar të kontrollit në vend.
Përgjegjësit që vënë në rrezik shëndetin e popullatës, shpesh fshihen pas justifikimit se produkti ka ardhur nga një vend i certifikuar. Shpesh anashkalojnë faktin se edhe në këtë rast, sistemi i kontrollit në vend duhet të jetë në gjendje të identifikojë dhe të ndalojë hyrjen e produkteve të kontaminuara.
“Në tregti cdo gjë mund të ndodhë, dhe që rregullat mund të mos jenë respektuar ashtu siç shkruhet në ligj. Ne mund të ekspozohemi nga produktet të skaduara, nga produkte që mund të mos plotësojnë kushtet higjieno sanitare për të qenë të sigurta për tu konsumuar në vendin tonë”, u shpreh Kapllan Sulaj, Dekan i Bioteknologjisë dhe ushqimit, UBT.
Nevoja për furnizim me mish nga vendet e Amerikës Latine, nga ku janë konstatuar tonelata të infektuara me salmonelë, e ka një shpjegim. Bujqësia, dhe veçanërisht blegtoria, po përjeton një situatë të vështirë, me rënie drastike të numrit të krerëve të bagëtive.
Kjo situatë ka ardhur si pasojë e mbështetjes financiare shumë të vogël, mungesës së skemave, subvencioneve joefikase dhe emigrimit. Si pasojë, vendi po varet gjithnjë e më shumë nga importi.
Sipas të dhënave të instat, nëse në 2014 kishim 500 mijë krerë lopë, në vitin 2024 kjo shifër u përgjysmua duke arritur në 272 mijë. Rënie drastike pësoi edhe numri i të imtave, dele apo dhi. Nga 2.8 milionë, tashmë në vend llogariten vetëm 1.8 milionë krerë. Kjo ka sjellë rënie të prodhimit të mishit të vendit dhe nënprodukteve.
“Nëse ky trend vazhdon pas 10 vitesh i bie që ti çojmë fëmijët në kopshtin zoologjik për të parë një lopë, një dele apo një dhi”, u shpreh Ana Vuksana, eksperte e sigurisë ushqimore.
Shqipëria nuk i ka përmbushur asnjëherë 100% nevojat për mish. Sipas ekspertëve kulmi i prodhimit u shënua në vitin 2014 duke plotësuar deri në 70% të nevojave, por me rritjen e turizmit sfidat janë edhe më të mëdha.
“Tani presim edhe 10 mln turistë dhe ato vijnë për produktet e freskëta shqiptare, nuk them që nuk mund të gjejmë ka akoma burime por ka edhe produkte importi që shiten si produkte vendi mund të ndodhë” u shpreh Kapllan Sulaj, Dekan i Bioteknologjisë dhe ushqimit, UBT
Sektori është i kërcënuar edhe nga prania e shumë sëmundjeve si mortaja, të cilat çojnë në shfarosjen e tufave. Kjo, së bashku me mungesën e interesit të të rinjve për t’u marrë me blegtori, e bën sektorin të paqëndrueshëm.
“Nuk mund të themi se Shqipëria ka sëmundshëmri të lartë te kafshësh, por e rëndësishme është momenti i reagimit. A jemi ne të gatshëm, nëse na bie një sëmundje, ta izolojmë, ta kontrollojmë dhe të mos japim kosto shëndetësore tek konsumatorët? Këtu ngrihet një pikëpyetje e madhe”, u shpreh Ervin Resuli, ekspert i sigurisë ushqimore.
“Fatkeqësisht kemi sëmundje në blegtori, kemi sëmundje të panjohura siç është mortaja tek të vegjlit që i shfaros tufat, edhe nëse nuk i prek duhet të asgjësohen tufat ku bie…por gjithashtu ka mungesë interesi për të mbajtur bagëti. Një i ri thotë më mirë bëhem berber se sa çoban, megjithëse norma e fitimit të një çobani, sigurisht me shumë lodhje, është shumë më e lartë”, u shpreh Granit Sokolaj, ekspert i sigurisë ushqimore
Ekspertët vënë në dukje se ky sektor, i cili kontribuon me rreth 18% në Prodhimin e Brendshëm Bruto, merr më pak se 1% të fondeve nga buxheti i shtetit. Sektori me numrin më të madh të punësuarve, rreth 460 mijë, ka një buxhet prej 146 milionë euro, ose 6.7 mln euro më shumë se viti pararendës. Miliona euro financime mungojnë për shkak të ndërprerjes së fondeve të IPARD. Për sigurinë ushqimore do të shpenzohen 25 milionë euro. Si pasojë sektori po bëhet gjithnjë e më pak joshës, kostot e produkteve vendase janë rritur, duke hapur dyert për importin masiv.
“Sivjet ishim me numra, më pak se 97, por kjo është një kronikë e paralajmëruar. Ne kemi humbur edhe fondet e IPARD, ndërkohë që Serbia do të marrë 298 mln fonde. Sektori është i nën financuar, vazhdon të mos jetë atraktiv, vetëm pensionistët po punojnë në bujqësi. Nëse nuk do të ketë politika subvencionuese, nëse nuk do të ketë politika fiskale, fermeri është në të gjitha rastet i disavantazhuar”, u shpreh Ana Vuksana, eksperte e sigurisë ushqimore.
Një studim i FAO, organizata për ushqimin dhe agrikulturën pranë Kombeve të Bashkuara, zbulon se mbështetja e ulët financiare përbën një prej faktorëve të rrënimit të bujqësisë. Bazuar në këto gjetje, ekspertet sugjerojnë se Shqipëria duhet të rishikojë rrënjësisht politikat për sektorin.
“FAO në një studim të 2022 thotë se skemat e subvencionimit kanë kontribuar në reduktimin e numrit të kafshëve. Pra skemat duhen rishikuar totalisht, pas një analize të detajuar se çfarë ka funksionuar dhe çfarë jo, dhe pa këtë analizë ne mund të shtojmë skemat vit pas viti por pa shmangur rënien e sektorit” u shpreh Ana Vuksana, eksperte e sigurisë ushqimore.
Gjatë mesit të muajit korrik 2025, gjatë një tryezë për bujqësinë dhe zhvillimin rural, kryeministri Rama kërkoi pezullimin e aktivitetit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit. Ai e quajti një institucion që “më shumë bën dëm sesa mirë”. Inspektimet e paplanifikuara u pezulluan, duke vijuar vetëm ato të planit vjetor. Aksioni që u ndërmor gjatë Verës, kishte pjesëmarrjen e inspektorëve të AKU por u drejtua nga administrate Tatimore.
AKU është në proces reformimi të thellë. Aktualisht është ngritur një komision vlerësimi për të gjithë inspektorët e AKU-së. Reforma parashikon ristrukturimin e tri institucioneve ekzistuese; AKU, Drejtoria e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës dhe Agjencia Kombëtare e Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve duke i bashkuar funksionet e tyre inspektuese në një strukturë të vetme qendrore.