Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi njoftoi sot se ka depozituar zyrtarisht kërkesën për shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës, Bajram Begaj. Ai thotë se prej kohësh, Begaj ka humbur përfaqësimin si Kryetar Shteti.

“Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike kam dorëzuar sot në protokollin e Kuvendit të Shqipërisë kërkesën për fillimin e procedurës parlamentare për shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës Bajram Begaj  për shkelje të rënda, e në mënyrë të vazhdueshme, të Kushtetutës së Shqipërisë”, thuhet në kërkesë.

Bardhi thotë se kanë konstatuar se Begaj ka kryer 7 shkelje të rënda të Kushtetutës dhe ligjit.

“Pas një analize shteruese të provave, fakteve, Kushtetutës së Shqipërisë, legjislacionit të brendshëm dhe jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese nga ekspertët ligjorë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, kemi arritur në konkluzionin se Presidenti i Republikës Bajram Begaj ka konsumuar 7 shkelje të rënda të Kushtetutës dhe Ligjit, të cilat përbëjnë shkaqe të mjaftueshme për shkarkimin e tij nga detyra”, vijon kërkesa.

Në kërkesë renditen edhe 7 shkeljet që sipas PD, Presidenti i vendit ka kryer.

Shkelja nr. 1 – Dekretimi antikushtetues i zgjedhjeve për Bashkinë Tiranë

Shkelja nr. 2 – Ndërprerja antikushtetuese e mandatit të gjyqtarit kushtetues

Shkelja nr. 3 – Dekretimi antikushtetues i ligjit për komisionet hetimore

Shkelja nr. 4 – Dekretimi antikushtetues i ministres virtuale “Diella”

Shkelja nr. 5 – Refuzimi për të ndaluar përfshirjen e trupit diplomatik në fushatë elektorale

Shkelja nr. 6 – Ndërhyrja antikushtetuese nëpërmjet Kabinetit të tij në procesin zgjedhor

Shkelja nr. 7 – Përfitimet personale dhe të birit në shkelje flagrante të Kushtetutës

Bardhi deklaron se ekipi ligjor i Grupit Parlametar të PD-së është autorizuar që të përgatisë kallëzim penal, i cili do të dorëzohet brenda kësaj jave në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar

“Për këtë shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe Ligjit, e paprecedentë për një President Republikës, kam autorizuar ekipin ligjor të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, që të përgatisë kallëzim penal, i cili do të dorëzohet brenda kësaj jave në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasi ekziston dyshimi i arsyeshëm, i bazuar në prova, se jemi në kushtet e konsumimit të të paktën dy veprave penale, në bashkëpunim, përkatësisht “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera publik” dhe “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë”, të parashikuara nga nenet 25, 258 dhe 260 të Kodit Penal”, përfundon kërkesa.