Policia e Kosovës ka arrestuar të dyshuarin për vrasjen e dyfishtë dje në fshatin Golluboc të Malishevës.

Astrit Isufi, i cili dyshohet se ditën e djeshme vrau vëllezërit Driton dhe Naim Morina, menjëherë pas krimit u arratis.

Policia njofton se Isufi është arrestuar rreth orës 06:30, ndërsa ka qenë i plagosur.

Pas marrjes së ndihmës së parë, ai është dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), tha komandanti i Policisë për Rajonin e Gjakovës, Lumni Graishta.

“Po sot rreth orës 06:30 është arrestuar i dyshuari, ai ka qenë i plagosur, pas ndihmës së parë që i është dhënë, ai është dërguar për trajtim në QKUK”, tha Graishta.

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar se ndaj të dyshuarit do të paraqitet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente, brenda afatit ligjor. Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorinë, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme lidhur me rastin.

Krimi i dyfishtë ndodhi paraditen e djeshme rreth orës 11:00. Driton dhe Naim Morina u qëlluan për vdekje para derës së shtëpisë së tyre nga Astrit Isufi, bashkëshorti i motrës së viktimave, në momentin kur familja është ende në ditë zie për vdekjen e babait, i cili ishte varrosur para pak ditësh.

Ajo kishte shkuar në shtëpinë e vëllezërve për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të babait të tyre./vizionplus.tv