Kryeministri Rama në seancën plenare në Kuvend prezantoi projektbuxhetin për vitin 2026 ku fokus do të ketë rritja e pensioneve dhe pagës minimale në 500 euro.

Rama tha se brenda këtij mandati paga minimale do të shkojë në 700 euro. Fokus në projektbuxhetin e 2026, do të kenë edhe bizneset ku do të ketë falje të detyrimeve dhe gjobave për sipërmarrjen, e cila do të bëhet në katër forma dhe do të jetë një proces që do të lehtësojë kostot administrative për bizneset.

“Brenda mandatit të katërt kemi objektivin ambicioz që të jetë 700 euro. Është e vërtetë që përmes paqes fiskale do të ketë një falje të madhe për sipërmarrjen duke i dhënë mundësinë të mbyll çështjet e vjetra dhe duke lehtësuar kostot administrative për sipërmarrjen.

Do të bëhet në katër forma, fshirje e plotë e detyrimeve për 5 vite, fshirje e pjesshme, fshirje 25 për qind të detyrimeve 5-10 vite nëse pjesa e mbetur paguhet brenda viteve, dhe fshirje e gjobave dhe kamatvonesave me kusht. Bizneset jo vetëm lehtësohen por korigjojnë deklarimet dhe pasqyrat e mëparshme financiare. Sipërmarrja mund të angazhohet të rris me 18 përqind fitimin e tatueshëm.

Çdo fitim mbi këtë nivel do tatohet me 5 për qind, është një marrëveshje transparente në funksion të fuqizimit të ekonomisë dhe lehtësimit të kompanive.

Buxheti bën edhe një rritje tjetër të pagave. Paga mesatare në sektorin publik është 1000 euro. Për herë të parë do të fusim indeksimin e pagës për administratën çdo dy vjet. Kemi parashikuar dhe rritje të dierencuar të pagave për të mbështetur punonjësit me pagë më të ulët. Sanitarë, shoferë, magazinier do të përfitojnë nga rritja e pagës me 10 mijë lekë të vjetra çdo muaj. Në shendetësi, do të fillojë llogaritja për vjetërsi në punë, paga e mjekut do të shkojë në 143 mijë lekë në muaj.

Do të bëjmë edhe për punonjësit e policisë, indeksimin në punë sipas vjetërsisë 84 mijë në muaj për komisarët. Për nënkomisarët shkon në 116 mijë lekë. 156 mijë lekë në muaj për drejtuesit e thjeshtë. Kostoja e këtyre masave është 100 milionë euro. Ne jemi vendi që ata që fitojnë më shumë taksohen më shumë, taksojmë më pak ata që fitojnë më pak pra biznesin e vogël.”  / abcnews.al /