Agjentët e BKH-së i kanë sekuestruar telefonin Drejtoreshës së Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit, Ervina Gjana, ndërsa njëkohësisht kanë kryer kontrolle në zyrën dhe banesën e saj.
Ajo mban një post kyç në strukturat e rendit. Funksioni i saj lidhet drejtpërdrejt me hetimin dhe parandalimin e veprave penale që kanë të bëjnë me mashtrimet online, aktivitetin e call center-ave, ndërhyrjet në sistemet informatike, si dhe bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e krimit kibernetik.
Hetimi ndaj kësaj zyrtareje dhe personave të tjerë është hapur pas sekuestrimit të telefonave të Agasit, ku SPAK ka konstatuar se disa drejtues të Policisë së Shtetit dyshohet se janë rekrutuar dhe emëruar nën ndikimin e grupeve kriminale.
Hetimet ndaj punonjësve të policisë kanë të bëjnë me lejimin e aktivitetit të call center-ave, ndikim të paligjshëm në Policinë e Shtetit dhe vepra të tjera penale. Sipas raportimeve në media, në kuadër të këtyre veprimeve hetimore, agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) i kanë sekuestruar telefonin vartëses së Ilir Prodës.
Kujtojmë se Ilir Proda ka tashmë një telefon të sekuestruar. Gjithashtu, raportohet se sekuestrim i është vendosur edhe telefonit të bashkëshortit të Ervina Gjanës, Renato Hristiç.





