Ambasada Amerikane ka sqaruar urdhrin e dhënë nga Presidenti Trump lidhur me pezullimin e vizave për emigrantët në 75 vende të botës, përfshirë këtu dhe Shqipërinë.

Selia diplomatike e SHBA në Tiranë, me anë të një njoftimi zyrtar sqaron se pezullimi ka të bëjë vetëm me qëndrimet afatgjata dhe jo me udhëtimet turistike apo studentore.

“Aplikantët për vizë emigrimi që janë shtetas të vendeve të prekura mund të dorëzojnë aplikimet për vizë dhe të marrin pjesë në intervista, dhe Departamenti do të vazhdojë të caktojë takime për aplikantët, por gjatë kësaj periudhe pezullimi nuk do t’u lëshohen viza emigrimi këtyre shtetasve. Jo, ky pezullim zbatohet vetëm për aplikantët e vizave emigruese. Vizat turistike janë viza jo-emigruese.”

Gjithashtu shpjegojnë se çdo vizë emigrimi e dhënë nuk do t’u hiqet shtetasve që tashmë i kanë marrë.

“Asnjë vizë emigrimi nuk është hequr si pjesë e këtij udhëzimi. Për pyetje që lidhen me hyrjen në Shtetet e Bashkuara, ju referojmë te Departamenti i Sigurisë Kombëtare i Shteteve të Bashkuara.”

Më herët pati reagim dhe nga ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali, e cila shpjegoi se ky urdhër nuk shigjeton Shqipërinë por vjen si pjesë e masave të administratës amerikane për të kufizuar abuzimet me avantazhet që ofron sistemi amerikan i migracionit.

Shtëpia e Bardhë deklaroi se ndalimi i përpunimit të vizave për emigrantët nga administrata Trump do të nisë nga 21 janari dhe do të jetë në fuqi derisa SHBA të sigurohet që emigrantët që vijnë nga këto vende nuk do të bëhen barrë publike ose nuk do të nxjerrin pasuri nga taksapaguesit amerikanë.