Fotot e tre personave të arrestuar nga policia në kuadër të operacionit “Anëtarët”.

Bëhet fjalë për Ilir Zyberin, 55 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për vrasje; Artur Brahimajn, 63 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për prodhim dhe shitje narkotikësh dhe për mashtrim; dhe Artur Rushitin, 46 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për plagosje të rëndë me dashje.

Të tre akuzohen se ishin pjesëtarë të një grupi që shiste armë zjarri në zona të ndryshme të Tiranës, kryesisht në Tufinë dhe Fresk.

Sipas policisë, grupi kriminal është i përfshirë prej disa kohësh në trafikun e armëve të zjarrit dhe nuk ka lidhje me grupet e tjera të goditura kohët e fundit nga Komisariati nr. 4.

Armët e sekuestruara dyshohet se janë sjellë nga Fieri, ku po hetohen edhe persona të tjerë që mund të jenë pjesë e grupit. Armët do të shiteshin për llogari të grupeve të tjera kriminale dhe dyshohet se mund të përdoren në ngjarje kriminale.

Ilir Zyberi, i njohur gjithashtu me mbiemrin Avdillari, e ka ndryshuar mbiemrin për të marrë atë të gruas së tij.

Ai është vëllai i Fatmir Avdillarit, i njohur si Xubi, i cili u aksidentua për vdekje në bulevardin “Migjeni” në vitin 2021. Zyberi ka vuajtur një dënim prej 22 vjetësh për vrasjen e një shtetasi italian.