Një grup kriminal që furnizonte Tiranën me armë zjarri, është çmontuar nga policia pas dy muajsh hetime.Katër persona janë arrestuar për trafikimin e armëve, të cilat i merrnin nga Kosova dhe i magazinonin në Selitë.
Bëhet fjalë për Rezarto Rumin, Kelvin Caushin, Ardjan Caushin si dhe Gloris Nezaj, ky i fundit me të shkuar kriminale.Nga hetimet dyshohet se të arrestuarit, pasi siguronin armë zjarri kryesisht nga Kosova, i sillnin ato në Tiranë dhe më pas modifikoheshin dhe magazinoheshin në Selitë.
Grupi kriminal është fiksuar edhe nga kamerat e sigurisë në rrugë, teksa transportojnë armët e zjarrit.
Gjatë kontrollit në ambientin ku magazinoheshin armët su dhe në banesat e të arrestuarëve, policia gjeti 8 armë zjarri (5 pistoleta dhe 3 automatikë), pjesë të ndryshme armësh, një armë gjahu, krehra dhe municion luftarak, 3 radio si ato të policisë, jelek multifunksion dhe 9 celularë.
Armët u shiteshin grupeve kriminale, ndërsa policia thotë se po punohet për kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari.
Vetëm 10 ditë më parë, një tjetër grup që trafikonte armë u godit nga policia në zonën e Yzberishtit. Artur Brahimaj, Ilir Zyberi dhe Artur Rushiti u arrestuan si anëtarë të grupit të trafikut të armëve, ndërsa policia sekuestroi 5 armë zjarri dhe municion luftarak, që dyshohet se do të shiteshin në Tufinë dhe në Fresk.






