Qeveria nuk ka një afat për të dërguar vakancën e kryetarit të bashkisë së Rrogozhinës në Presidencë. Për Vizion Plus, ish-kryetari i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume iu referua rasteve të ndodhura më parë ku bashkia ka qëndruar më kryetar të komanduar me vite, pa qenë nevoja e zgjedhjeve të pjesshme.“Qeveria nuk ka asnjë afat apo detyrim për të dërguar vakancën në Presidencë. Në kod nuk parashikohet një afat i tillë. Rikujtojmë rastin e Bashkisë së Shkodrës ku për vite qëndroi një kryetare e komanduar deri në zgjedhjet e pjesshme. Pra nuk ka kohë limit”, tha Kume.
Megjithatë, Kume shpjegon se zgjedhjet e pjesshme duhen mbajtur vetëm në rast se kryebashkiaku largohet nga institucioni vendor 6 muaj përpara zgjedhjeve lokale.“Në rastet kur një kryetar bashkie largohet nga detyra apo dënohet 6 muaj përpara zgjedhjeve lokale, kodi zgjedhor parashikon se nuk është nevoja për zgjedhje të pjesshme. Në çdo rast tjetër, qytetarët duhet t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryetarin e tyre”, shtoi Kume.
Tashmë mbetet për t’u parë nëse do të kemi zgjedhje të pjesshme apo nëse Rrogozhina do të mbetet me kryetar të komanduar deri pranverën e vitit tjetër./vizionplus.tv






