Qeveria e Kosovës këtë të hënë ka miratuar shqyrtimin e propozim-vendimit për dërgimin e FSK në një mision ndërkombëtar stabilizues në Gaza. Vendimi për dërgimin e trupave u miratua pa asnjë votë kundër dhe pa asnjë abstenim.
Miratimi i hap rrugë procedimit të vendimit për miratim në Kuvendin e Kosovës. Sipas legjislacionit në fuqi, pas vendimit të ekzekutivit, çështja i kalon ligjvënësve për shqyrtim dhe votim, ndërsa në fund kërkohet edhe miratimi i presidentit të vendit.
Ministri i Mbrojtjes në Kosovë, Ejup Maqedonci gjatë mledhjes së qeverisë ka dhënë detaje mbi arsyet dhe bazën ligjore të kësaj nisme. Ai theksoi se vendimi përfundimtar i takon Kuvendit të Kosovës.
“Ministria e Mbrojtjes, mbi bazën e objektivave dhe planifikimeve strategjike për bashkëpunim me shtetet aleate, ftesës së pranuar nga Komanda Qendrore e ShBA-së më 10.12.2025 që i referohet rezolutës 2803 të Këshillit të Sigurisë të OKB-së, vullnetit politik të shprehur në Bordin e Paqes si dhe ligjeve për dërgimin e FSK-së jashtë vendit, ka iniciuar procedurat për të kërkuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës marrjen e vendimit për dërgimin e FSK-së jashtë vendit”, tha Maqedonci.
Ai shtoi se pjesëmarrja e FSK-së në këtë mision do të bëhet në kuadër të një komande të unifikuar ndërkombëtare. Sipas tij ka qëllimi është mbështetja e zbatimit të një plani gjithëpërfshirës për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza.
Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë ka deklaruar se vendi i tij është i hapur për të marrë pjesë në misione ndërkombëtare në Gaza.






