Në muajin prill 2026, gjatë kohës së ndryshimeve të mëdha në krye të Policisë së Shtetit, janë zhvilluar dhjetëra aksione për goditjen e Call Centerave, të cilat kanë si aktivitet mashtrimin e shtetasve në Europë, gjoja duke investuar në bursa. Prej shumë vitesh, ky aktivitet ishte përhapur në të gjithë Shqipërinë, madje në momentin që mbyllej një, hapeshin disa me pronarë të njëjtë.
“Mbinin si kërpudha pas shiut, në çdo vend, në qendër të qyteteve, në pika strategjike, në skuta apo edhe në godinat e hoteleve”, tha për Vox News një agjent i policisë në kushte anonimati, i cili konfirmon se çdo zyrë kishte nga një “mburojë”. Kryesisht, “rojtarët” e këtyre Call Centerave vinin nga radhët e Policisë së Shtetit, që nga drejtorët e drejtorive, nëndrejtorët, shefat e komisariateve dhe shefat në Policinë e Shtetit.
“Të gjithë ishin të varur nga një shef. Kishin një koordinator, që bënte lidhjen mes pronarëve dhe drejtuesve të Policisë së Shtetit”, vijon i njëjti agjent, i cili vetëm gjatë 3 javëve të fundit, që nga momenti i rokadës në krye, ka bërë disa aksione, pa u dekonspiruar apo pa u transferuar në një sektor tjetër, vetëm e vetëm që të linte të qetë këtë aktivitet.
“Aktualisht – pohon agjenti – personat që merren me këtë aktivitet nuk kanë një kontakt dhe nuk e dimë se sa do të zgjasë kjo gjendje”. Ai më tej shpjegon për Vox News se shefat e policisë, kanë përdorur disa vartës të tyre rregullisht, për të lejuar aktivitetet e paligjshme.
“Të gjitha me dijeninë e drejtuesve në godinën e ish-hotel Arbanës”, shton ai, teksa tregon edhe skemën që përdornin drejtuesit e vjetër, disa të shkarkuar e disa të transferuar nga Tirana në rrethe.
“Pagesa bëhet në bazë të numrit të operatorëve. Sa më shumë punonjës të kishin, aq më shumë paguanin. Sa më shumë lëvizje të kishin në godina, sa më e madhe të ishte sipërfaqja, aq më shumë paguhej nën dorë. Por, kishte para’ për të gjithë, për punonjësit që merrnin thërrime, për pronarët apo edhe për drejtuesit e policisë”, vijon ai.
Vox News ka kryqëzuar informacionin e servirur nga agjenti me të dhëna të tjera nga institucionet ligjzbatuese, ku rezulton se skema ishte mjaft e sofistikuar dhe i mbronte abuzuesit me të gjitha format.
“Policia, edhe nëse kishte informacion, nuk shkonte te vendi që operohej, por te një godinë apo zyrë ngjitur. Nuk shkonte në atë kat, por në një tjetër dhe në letra shkruanin që ‘e kontrolluam’. Pronarët apo drejtuesit lajmëroheshin sa herë kishte aksione”, tregon ai.
Abuzimet ishin në çdo sektor të Policisë së Shtetit, ose e thënë më ndryshe, në çdo qelizë të saj, të diktuar nga kupola, të cilët kishin dijeni të plotë të aktiviteteve apo të informacioneve që mbërrinin edhe nga partnerët europianë. “Pronarët njoftoheshin edhe kur vinin agjentë nga shtete europiane, pasi çdo agjent linte gjurmë në sistemet e Policisë së Shtetit në pikat e kalimit kufitar. Çdo informacion të hyrje-daljeve dërgohej menjëherë të këto Call Centera. Emrat e agjentëve, detyrat e tyre, apo edhe vendin se nga vinin” thanë të tjera burime nga Policia e Shtetit.
E thënë më ndryshe, nëse një agjent vinte nga Franca, atëherë Call Centerat që merreshin me këtë aktivitet pezullonin operimin. E njëjta gjë për agjentët që vinin nga Italia, Gjermania apo edhe nga Spanja.
“Në momentin që largoheshin, këta pronarë njoftoheshin për vijimin e aktivitetit. Gjithçka në perfeksion. Vijonte puna dhe mashtrimet e radhës. Pagesa nën dorë dhe gjithçka tjetër”, pohon burimi.
Duket se, pjesa më e madhe e këtyre Call Centerave tashmë janë pezull. Ndryshimet e drejtuesve në kupolën e Policisë së Shtetit apo të disa drejtorëve të drejtorive rajonalë, kanë sjellë që pronarët tashmë të mos kenë linjat e vjetra. Të gjithë presin sinjalet nga godina e ish-hotel Arbanës, nëse do të jenë të kuqe apo të gjelbra.
©CopyrightVoxNews






