Momente tensioni janë regjistruar pak më herët gjatë marshimit të protestës qytetare në ditën e 19-të të saj në Tiranë.
Në pamje, deputeti socialist Ardit Bido shihet teksa kalon pranë zonës ku ndodheshin protestuesit, duke u përballur me reagime të ashpra nga disa prej tyre.
Gjatë momentit, dëgjohen qytetarë që i drejtohen deputetit me ofendime dhe thirrje si “o hajdut”, ndërsa situata ka krijuar disa çaste tensioni.
Sipas pamjeve, forcat e policisë kanë ndërhyrë menjëherë duke e shoqëruar deputetin larg turmës, për të shmangur përshkallëzimin e situatës dhe çdo incident të mundshëm.
Ngjarja ndodhi përpara Parlamentit, ku protestuesit ndaluan gjatë marshimit të tyre, përpara se të vijonin më tej drejt selisë së Partisë Demokratike dhe më pas drejt Kryeministrisë.
Protesta qytetare ka hyrë sot në ditën e 19-të, ndërsa pjesëmarrësit vijojnë të shprehin pakënaqësitë e tyre ndaj klasës politike që ka qeverisur vendin gjatë 35 viteve të fundit.





