Vllaznia në mbyllje të këtij sezoni, teksa pret të zhvillojë edhe finalen e Kupës së Shqipërisë ditën e hënë përballë Skënderbeut, pret të mësojë zyrtarisht këto ditë edhe emrin e presidentit të ri.
Me gjasa ai do të jetë Alban Xhaferi, sponsori i këtij sezoni të suksesshëm të skuadrës shkodrane, i cili i paraqitur në ankandin e hapur me firmat “Albaphoto” dhe “Albasport”, është fitues me ofertën prej 65 milionë lekësh të reja.
Aktualisht, ankandi i hartuar në tri faza, ka skualifikuar nga konkurrenca më parë për mungesë dokumentacioni dy ofertuesit e tjerë, “Joni 5” dhe “Almiro Gurakuqi” bashkë me “Carpathia” Shpk. Këta të fundit kanë dërguar një ankesë, duke e konsideruar si gabim njerëzor mangësinë e dokumentacionit në dosje, por gjithçka duket të jetë rrëzuar përfundimisht ditën e premte.
Bashkia Shkodër ka kthyer përgjigjie ndaj ofertës së bërë, ku në sqarimin e mungesës së një sërë dokumentacioni, ndërmjet të tjerash thuhet: “Ankesa e paraqitur nga bashkimi i operatorëve ekonomikë “Almiro Gurakuqi”, person fizik dhe “Carpatha” Shpk, nuk qëndron dhe në këto kushte nuk merret parasysh”.\
Kjo i jep fund sagës disa mujore të pronësisë së Vllaznisë, e cila i kalon sponsorit aktual, Alban Xhaferi, me bashkimin e operatorëve ekonomikë “Albaphoto” dhe “Albasport”.
Për këtë do të pritet edhe zyrtarizimi në ditët në vazhdim, nëse nuk do të ketë ndonjë akimimim brenda 7 ditësh në Komisionin e Prokurimit Publik nga grupi ankimues, që gjithsesi, edhe në ofertën e tij financiare është më poshtë, se sa shifra prej 65 milionë lekësh të reja, që ka ofruar kompania e mbetur e vetme dhe rrjedhimisht fituese e pronësisë së klubit Vllaznia.