Më shumë se 200 mbikëqyrës të përmbajtjes në Facebook, nga e gjithë bota, e kanë akuzuar kompaninë se i detyroi ata të ktheheshin në zyrë gjatë pandemisë, dhe kërkuan mbrojtje më të mirë të shëndetit dhe siguri.
Ata përgatitën një peticion, në të cilin thanë se Facebook “po rrezikonte pa nevojë” për të siguruar fitime. Punëtorët kërkuan që gjiganti i mediave sociale të garantojë kushte më të mira, ose t’i lejojë punëtorët të vazhdojnë punën e tyre nga shtëpia.
Në gusht, Facebook-u tha që personeli do të lejohej të punonte nga shtëpia deri në verën e vitit 2021. Por, kompania mbështetet në mijëra kontraktorë për t’i zbuluar postimet e padëshiruara.
“Pas disa muajsh lejimi të mbikëqyrësve të përmbajtjes për të punuar nga shtëpia, përballë një presioni të fuqishëm për të mbajtur Facebook-un pa urrejtje dhe dezinformim, ju na keni detyruar të kthehemi në zyrë”, thuhet në letrën e hapur të lëshuar nga firma Foxglove e aktivistëve ligjorë me bazë në Britani.
Facebook tha se “një shumicë” prej rreth 15,000 moderatorësh të përmbajtjes në nivel global, po punojnë nga shtëpia.
“Ne i vlerësojmë mbikëqyrësit e përmbajtjes dhe ne i japim përparësi shëndetit dhe sigurisë së tyre”, tha një zëdhënës i Facebook-ut.
Kontraktorët thanë se thirrja për t’u kthyer në zyrë kishte ardhur pasi kishin dështuar përpjekjet për t’u mbështetur më shumë në Inteligjencën Artificiale (AI) në identifikimin e përmbajtjes problematike, shkruan Rel.
“Facebook-u ka nevojë për ne. Është koha që ju ta pranoni këtë dhe të vlerësoni punën tonë. Të sakrifikojmë shëndetin dhe sigurinë tonë për përfitim është e pamoralshme”, kanë thënë punëtorët e Facebook në ankesën e tyre.