Skënderbeu humbet një nga lojtarët kryesorë të sezoneve të fundit. Mesfushori Shqiprim Taipi nuk do të jetë më pjesë e bardhekuqve për sezonin e ri por ka vendosur që të shohë një ambient tjetër për ta vijuar karrierën e tij, me një të ardhme larg Korçës.
Lajmi është bërë i ditur nga vetë lojtari, i cili i kontaktuar nga “Panorama Sport”, ka konfirmuar faktin që nuk do të jetë pjesë e Skënderbeut për shkak se kontrata e tij ka përfunduar tashmë, por dhe për atë se ka vendosur që të mos vijojë bashkëpunimin me klubin bardhekuq.
Mesfushori 24- vjeçar bëhet kështu largimi i parë zyrtar i Skënderbeut për sezonin e ri. “Më duhet të të them se kontrata ime me Skënderbeun përfundoi në fillim të muajit qershor dhe prej asaj dite jam një lojtar i lirë. Mund të them gjithashtu se e ardhmja është larg Korçës, pavarësisht se këtu kam kaluar vitet më të bukura të karrierës time dhe i jam mirënjohës qytetit dhe klubit.
Kam vendosur ta shoh të ardhmen diku larg Skënderbeut në një tjetër ekip, por për momentin nuk kam asgjë më shumë për të thënë. Mund të konfirmoj se bashkëpunimi mes palëve mbyllet këtu”, theksoi Shqiprim Taipi. 24-vjeçari shqiptari me pasaportë maqedonase erdhi te Skënderbeu në janar të vitit 2019 dhe zhvilloi dy sezone e gjysmë mjaft të mira me korçarët, duke u futur menjëherë në boshtin e lojtarëve kryesorë të Skënderbeut. Me Largimin e Taipit, Skënderbeu humbet kështu një nga pikat më të forta të mesfushës.