Me 170 km/orë në rrugën interurbane kryesore Tiranë-Elbasan, radari parandalon rrezikun e përfshirjes në aksident rrugor.
Mos fluturoni në rrugë, në rastin më të mirë ju pret polici dhe radari, respektoni rregullat, shpëtoni jetë.
Efektivët e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, në funksion të parandalimit të aksidenteve rrugore me qëllim evidentimin e ndëshkimin e shkeljeve që nga analizat e ngjarjeve rrugore konsiderohen edhe si shkaqet kryesore të ndodhjes së tyre, kanë shtuar kontrollet e dedikuara për shpejtesinë mbi normat e lejuara dhe mos rregullimin e shpejtësisë, veçanërisht në qendrat e banuara.
Gjatë mesditës së sotme si rezultat i monitorimit të qarkullimit me radar në rrugët interurbane Tiranë-Durrës-Tiranë dhe Tiranë -Elbasan-Tiranë janë evidentuar shpejtësi gati dyfish mbi normën e lejuar, siç ishte dhe rasti i një 24-vjeçari nga Korça, i cili u konstatua duke qarkulluar me shpejtësi 170 km/h duke rrezikuar seriozisht përfshirjen në ngjarje rrugore me pasoja për jetën.
Nga kontrollet parandaluese, vetëm përgjatë 2 javëve të para të muajit qershor, për këtë shkelje janë konstatuar dhe proceduar 306 drejtues automjetesh, ku 171 prej tyre u është pezulluar leja e drejtimit për shpejtësi mbi normat e lejuara, ndërsa 135 të tjerë janë proceduar për mosrregullim shpejtësi në qendrat e banuara nga 10.000-40.000 lekë të rinj.