Kryedemokrati Lulzim Basha ka bërë daljen e parë publike pas rikonfirmimit në krye të Partisë Demokratike. Përmes një konference për media, Basha ka falenderuar të gjithë mbështetësit që e votuan, por edhe sfidantët, të cilët sipas tij i dhanë më shumë kuptim garës.
Basha thekson se kjo votë e dhënë për të dëshmon refuzimin e masakrës zgjedhore të 25 Prillit dhe shënon hedhjen në betejën e fundit kundër regjimit.
Fjala e kreut të PD-së Lulzim Basha:
Të dashur vëllezër dhe motra, demokratë dhe demokrate,
Sikurse e kam thënë pak ditë më parë dhe sikurse e dinte secili prej jush, të dielën sytë e shqiptarëve u drejtuan nga Partia Demokratike.
Ata nuk pritën gjatë dhe ju nuk munguat në përgjigjen tuaj të qartë dhe të fortë!
Ju treguat me krenari që ne jemi në këmbë, që jemi të bashkuar, që jemi të fortë dhe, se pikërisht atëherë kur vështirësitë duken të pakapërcyëshme, nuk dorëzohemi kurrë!
Ndaj dua të falenderoj secilin prej jush, nga themeluesit tek anëtarët më të rinj, për ushtrimin më të bukur të demokracisë brenda partisë tonë, në një proces unik falë të cilit edhe njëherë Partia Demokratike ngrihet në lartësinë e emrit dhe të historisë së saj.
Sepse, vëllezër dhe motra, në fund të kësaj gare ne nuk gëzojmë për fitoren e një kandidati apo zgjedhjen e një kryetari të ri, por, të gjithë bashkë, ne kremtojmë vlerat që na bashkojnë, vlerat mbi të cilat ngrihet kjo familje e madhe politike. Ato të garës, të lirisë dhe të meritokracisë. Që sigurisht ne duhet dhe do t’i përsosim edhe më shumë në muajt në vijim.
Edhe njëherë falemindeirt nga zemra për kontributin tuaj të jashtëzakonshëm.
Po ashtu falenderoj me mirënjohje për mbarëvajtjen e këtij procesi komisionerët, vëzhguesit dhe numëruesit. Përkushtimi juaj meriton vetëm respekt!
Mirënjohja ime shkon edhe për tre kandidatët e tjerë, të cilët e bënë këtë garë të vërtetë , sfiduese dhe dinamike. Për secilin prej tyre kam një mesazh: Ne kemi mendime të ndryshme por parime të njëjta, prandaj jam i bindur se përtej diferencave, nga sot energjitë dhe përpjekjet tona do të shkojnë në drejtim të kundërshtarit të vetëm të Partisë Demokratike, dhe të shumicës dërmuese të shqiptarëve, regjimit Rama-Doshi.
Vëllezër dhe motra, e djeshmja nuk ishte një ditë e rëndësishme vetmë për Partinë Demokratike, por për gjithë Shqipërinë. Është e tillë sepse nëpërmjet pjesëmarrjes në procesin një anëtar një votë, ju nuk ushtruat vetëm të drejtën për të zgjedhur kryetarin e ri, por nëpërmjet votës përcaktuat vijën e aksionit tonë politik. Ndaj dhe vullneti që shprehët në këto ditë të vështira për vendin, do të shërbej si udhërrëfyes në rrugëtimin tonë në shërbim të vendit. Sepse me këtë votë të qartë ju refuzuat të njihni masakrën zgjedhore të 25 prillit!
Me këtë votë të qartë ju refuzuat bashkëpunimin me regjimin Rama-Doshi!