Nuk kanë të ndalur problemet për Chrissy Teigen! Vetëm pak orë pasi ajo kërkoi falje ndaj Courtney Stodden, stilisti i njohur Michael Costello hodhi akuza ndaj modeles për bullizëm.
Costello shkroi në “Instagram” se kishte përjetuar traumë për vite me radhë nga komentet ngacmuese të modeles aq sa kishte menduar vetëvrasjen.
Në këtë reagim ai pretendon se Teigen dhe stilistja e saj, Monica Rose u përpoqën të shkatërronin karrierën e tij duke e cilësuar si “racist”.
“Si rezultat i asaj që Chrissy Teigen më bëri në 2014, nuk jam mirë. Unë mund të mos jem kurrë në rregull, por sot vendos të them të vërtetën time. Thjesht dua që njerëzit të kuptojnë se edhe unë jam njerëzor dhe ky ishte trajtimi më çnjerëzor që është bërë ndonjëherë nga dikush që ka parë dekada duke punuar fort, duke ndërtuar një markë, të shkërmoqet nga një koment”, shkroi ai.
Stilisti gjithashtu ndau dhe disa biseda me modelen në Instagram, ku ndër të tjera ajo i shkruante:
“Racistët si ju vuajnë dhe meritojnë të vdesin. Ju mund të dëshironi të vdisni. Karriera juaj ka mbaruar, vetëm shikoni.
Kujtojmë se para pak javësh modelja Courtney Stodden tregoi se ishte bullizuar nga shumë njerëz, përfshirë edhe personazhe të famshëm, për faktin se u martua në moshën 16-vjeçare me një burrë 50-vjeçar. Në një intervistë për “Daily Beast”, ajo tregoi se dhe personazhe të famshëm kanë reaguar ashpër ndaj saj, mes të cilëve hodhi akuza edhe për modelen, Chrissy Teigen. Courtney ka treguar se përveç deklaratave publike të modeles kundrejt saj, i ka shkruar mesazhe që “të vrisja veten”.
Ndërkohë pas këtyre deklaratave, Chrissy i cilësoi veprimet e saj të turpshme dhe vendosi të hiqte dorë nga rrjetet sociale. Por së fundmi ajo ka thyer heshtjen dhe ka folur publikisht në lidhje me këtë ngjarje. Ajo ka bërë publike një letër, ku shprehet e penduar për veprimet e të kaluarës.
“Përshëndetje të gjithë! Ka qenë një javë shumë poshtëruese për mua. E di që kam qëndruar e heshtur dhe Zoti e di që ju nuk doni të dëgjoni për mua, por dua të dini se kam marrë një dënim të merituar nga gjithë bota. Asnjë ditë, asnjë moment i vetëm nuk ka kaluar pa ndjerë peshën e rëndë të pendesës për gjërat që kam thënë në të shkuarën”, është shprehur në letër Chrissy.