Vigjilje “axurre”, për herën e dytë në këtë Europian. Konferenca ka nisur me disa fjalë në kujtim të Stefano Balduçin, ish-kreu i shtypit të federatës, përgjegjës për të drejtat televizive, i ndarë nga jeta ditën e djeshme. Më pas, hapësirë për ndjesitë në vigjilje të sfidës ndaj Zvicrës, që mund t’u hapë italianëve rrugën për 1/8-at, por njëkohësisht është një nga skuadrat së cilës trajneri i Italisë i trembet më shumë.

“Tensioni ekziston gjithmonë, është e drejtë, sepse kemi përpara një ndeshje të rëndësishme dhe respekt për një skuadër ndaj së cilës shkojmë të përballemi, – është shprehur trajneri Roberto Mançini. – Një apel tifozëve që të veshin fanellën e kaltër në ‘Olimpico’? Do të isha shumë i lumtur, por e rëndësishme është që të njollosim ‘axurr’ terrenin e lojës. Me siguri jemi të lumtur të bëjmë atë që ëndërronim që të vegjël, në një skenë kaq prestigjioze. Dhe jemi të lumtur që e kemi nisur me fitore. Morëm tri pikët e para, por ka shumë pak rëndësi, nuk kemi bërë ende asgjë”.

KUNDËRSHTARI – Analiza e kundërshtarëve është një himn për durimin: “Zvicra e ka vendosur gjithmonë në vështirësi Italinë, ka lojtarë ekspertë dhe ndodhet përherë mes 10-12 vendeve të para në renditjen e FIFA-s. E stërvit një trajner që e njeh mirë futbollin tonë dhe edhe ne i njohim mirë rivalët. Do të nevojitet një ndeshje perfekte dhe nuk duhet të gabojmë asgjë”. Optimizmi i trajnerit mbi mundësitë për të shkuar shumë përpara në turne mbetet i paprekur: “Jam gjithmonë i mbushur me besim, mundet ende të përmirësohemi. Jemi një skuadër e mbushur vetëm me futbollistë titullarë, mes të cilëve zgjedh 11 që herë pas here zbresin në fushë. Nëse më pas duhet të ndryshoj diçka, kushdo që të luajë, do ta bëjë në mënyrën më të mirë. Edhe nëse karakteristikat e Zvicrës duhet të jenë pak më ndryshe nga ato të Turqisë, për ne do të ishte njësoj, e dimë se çfarë duhet të bëjmë”.

DONARUMA, SHAQIRI DHE VERRATI  Disa fjalë edhe lidhur me transferimin e afërt të Donarumës te PSG: “Xhixho do ta marrë me qetësi, nëse shkon te PSG do të zgjedhë një skuadër të madhe”. Një mendim edhe për Xherdan Shaqirin, i cili ndau me Mançinin si trajner një pjesë të sezonit të Interit në vitin 2015: “Për mua është një lojtar i madh, një nga mesfushorët më të mirë në Europë dhe tek Interi im bëri detyrën e tij. Për fat të keq, ndodhej në një skuadër në ndërtim dhe ishte megjithatë në pronësi të Bajernit”. Fjalët e fundit, mbi riaftësimin e Marko Verratit: “Po vijon mirë dhe jemi shumë optimistë, do të vendosim nesër (sot) nëse do të shkojë në stol apo do të presim ndeshjen e ardhshme”.

panoramasport.al