Sëmundja e pishave po dëmton qindra hektarë
Qindra turistë të cilët zgjedhin të vizitojnë pikën turistike të Gjinarit, si arsye kryesore kanë ajrin e pastër, por kjo duket se dalëngadalë nuk do të jetë më motivacion pasi pylli me pisha i Gjinarit prej 4 vitesh rezulton i prekur nga sëmundja e procesionares e cila dita-ditës po shkatërron pishat.
Janë rreth 970 ha tokë pyllë me pisha të infektuara. Më shqetësuese situata paraqitet në ″Fushë Kuqe″. 4 vite më parë është ndërhy për eleminimin e sëmundjes por duket se tani situata është rikthyer sërisht serioze.
Krimbi i cili ushqehet me gjethet e pishës krijon kushte për tharjen e saj duke ulur rritje të masivit pyjor. Administratori i Njësisë Administrative Gjinar, ″z.Irakli Toçi″ shprehet se autoritetet përkatëse janë në dijeni të këtij problemi të vazhdueshëm dhe pritet të merren masa për të ndërhyrë.
Nga ana tjetër kjo situatë ka shqetësuar edhe banorët të cilët thonë se dëmtimi i pyllit ndikon drejtëpërsëdrejti tek zhvillimi ekonomik i tyre pasi një pjesë e mirë kanë biznese në zonën turistike.
Metodat teknike apo kimike që janë përdorur deri tani, nuk kanë dhënë rezultate në eleminimin përfundimtarë të kësaj sëmundjeje. Rreth 3 vite më parë në këtë fshat u dogj një masiv pyjor i cili ende nuk është zëvendësuar plotësisht.Gjinari është një fshat i cili mbahet me turizmin dhe shkatarrimi i pyllit do të ishte fatal për shumë familje.