Rregulla të reja nga MAS
Ministria e Arsimit ka vendosur t’ua shtrëngojë pak “lakun” universiteteve me pranimet e reja. Përshtatja e kuotave ose më saktë shpërndarja e atyre që nuk përmbushen dot brenda të njëjtit fakultet, nuk mund të bëhet më në fund të raundit të tretë, por fill pas regjistrimeve në dy raundet e para.
Kështu, dekanati i çdo fakulteti duhet të marrë miratimin në MAS që në fillim, kur të ketë parë trendin e regjistrimeve.
Për shembull, nëse në degën Ekonomiks, departamenti përgjegjës gjykon që ka pak kërkesa, ose tërheq shumë pak maturantë në raport me numrin e kuotave që ofron, dekani mund të marrë përsipër që një pjesë të kuotave t’ia kalojë degës Administrim Biznes, aty ku numri i kërkesave është shumëfish më i lartë.
Kushti i vetëm përpara se të bëhet aplikimi në MAS për rishpërndarje kuotash, është të mos kalohet totali i pranimeve.
Ministrja Evis Kushi ka firmosur në datën 2 qershor dokumentin me disa shtesa dhe ndryshime në udhëzimin nr.10, datë 15.05.2019, “Për procedurat e aplikimit dhe të regjistrimit në institucionet e arsimit të lartë”, të ndryshuar, në të cilin bëhet e qartë se universitetet nuk mund të përshtatin kuotat vetëm pasi të kenë përfunduar të gjitha regjistrimet në fakultete, por që në fillim.