Kryeministri Edi Rama ka dhënë mbrëmjen e djeshme një intervistë për një nga televizionet më të mëdha në Francë.Në fjalën e tij përballë gazetares Caroline de Camaret në ‘France 24’, Rama deklaroi se të dhënat e mbledhura nga patronazhistët e Partisë Socialiste nuk janë të dhëna personale, në një kohë kur ato përfshijnë dhe numrin e kartës së identitetit të qytetarëve. Sipas kryeministrit, regjistri i gjendjes civile në Shqipëri ka qenë publik në internet përgjatë viteve.
“Ne kemi një raport nga OSBE/ODIHR që janë shumë të qartë për integritetin e fushatës dhe zgjedhjeve. Jam shumë i kënaqur që mu bë pyetja, se kam lexuar artikuj të pavërtetë edhe në Francë. Nuk janë të dhëna personale individuale që kanë dalë, por janë dhënë tek organizata e partisë, që nuk kanë lidhje me të dhënat personale. Së pari, të dhënat dhe regjistri i gjendjes civile në Shqipëri ka qenë publik në internet përgjatë viteve. Së dyti, numri i kartave të Identitetit, nuk është personal. Është një numër që tregon që këtë kartë e ka ky person në shërbimin civil, por nuk është e dhënë sensitive”.-tha Rama.
Në raportin paraprak të OSBE-ODIHR thuhet:
Pavarësisht një kuadri ligjor solid që ndalon shpërdorimin e burimeve administrative dhe minimizon avantazhin e partisë në pushtet, ministrat vazhduan të bënin fushatë gjatë angazhimeve zyrtare. Publiciteti që erdhi si rrjedhojë e kësaj i dha partisë qeverisëse një avantazh të konsiderueshëm. Ofrimi i stimujve dhe presioni i pretenduar ndaj nëpunësve civilë përbënë shqetësim. Në kapacitetin e tij zyrtar, Presidenti bëri fushatë kundër partisë qeverisëse.
Mjedisi mediatik është i ngarkuar. Pavarësia editoriale ndikohet negativisht nga interesat e pronarëve, gjë që nxit autocensurën. Gazetarët vazhdojnë të mbeten vulnerabël ndaj presionit dhe korrupsionit. Rregulloret që rregullojnë mbulimin mediatik të fushatës e ngushtojnë aksesin në media të partive më të vogla dhe të kandidatëve të pavarur.
Gjatë fushatës, përmes një rrjedhjeje informacioni, në domeinin publik doli një databazë me informacione personale dhe detaje kontakti për afërsisht 900,000 qytetarë shqiptarë, që përmbante edhe preferencat e tyre potenciale të votimit.62 Partitë opozitare, Presidenti dhe shumë të tjerë në media bënë thirrje për hetim nga SPAK-u të këtij shpërdorimi të pretenduar të të dhënave personale të qytetarëve.63 Disa bashkëbisedues të MNVZ-së nga partitë kryesore politike besonin se një incident i tillë mund të konsiderohej nga elektorati si shpërdorim i të dhënave personale për interesa të partive.
fax web