Ambasadorja e Shqipërisë në Greqi, Luela Hajdaraga, pohon për emisionin “Ditë e Re” se ambasada shqiptare do të ofrojë për herë të parë, duke nisur nga java  ardhshme, shërbime konsullore për emigrantët në ishujt Kretë dhe Rodos, pasi deri më tani shtetasit shqiptarë i merrnin shërbimet në Athinë.

“Ambasada shqiptare do të zhvillojë për herë të parë, nga java e ardhshme, shërbimet konsullore në ishujt Kretë dhe Rodos. Do ofrojmë shërbimet tona në shtëpitë e tyre, për personat me probleme shëndetësore, që kanë vështirësi të lëvizin”, shprehet Hajdaraga.

Lajm i mirë për emigrantët e Greqisë/ Ambasada shqiptare

Gjithashtu ajo thotë se shteti helen ka hequr kufizimet për hyrjet nga vendi jonë për sa i përket punonjësve sezonalë dhe se pas datës 28 qershor qeveria greke do të marrë vendime të reja për të lehtësuar masat në kufirin shqiptaro-grek. Ajo sqaron rregullat, që duhen ndjekur për të hyrë në shtetin grek.

Duke filluar nga data 19 qershor, Greqi ka hequr kufizimet për hyrjet nga Greqi. Shtetasit shqiptarë patjetër mund të udhëtojnë drejt Greqisë, duke qenë të pajisur me formularin e lokalizimit të pasagjerëve (PLF), të cilin mund ta gjejnë te faqja travel.gov.gr. Gjithashtu mund të jenë  të pajisur me një nga dokumentet, siç është certifikata e vaksinimit, ose testi PCR negativ brenda 72 orëve, ose Rapid test negativ brenda 48 orëve, ose një certifikatë të diagnozës pozitive të Covid-19 nga  2 deri në 9 muaj. Këto mas janë të vlefshme për kufijtë tokësorë. Pra nga Kakavija deri në datën 28 do të lejohen të hyjnë në shtetin Helen 1,500 hyrje në ditë, Qafë Botë 250 dhe Kapshticë 400 hyrje vetëm për punonjësit sezonalë. Nëse kuotat janë plotësuar, atëherë formulari PFL nuk del. Deri në datën 28 qershor do të mbeten të njëjtat kuota për hyrjen e shtetasve. Pas kësaj date, besoj se do të kemi rregulla të reja, akoma më lehtësuese për shtetasit shqiptarë.”

Ambasadorja bën me dije se deri më tani në Greqi kanë mbërritur rreth 25 deri 30 mijë punonjës sezonale nga Greqia.

“Momentalisht në shtetin Grek kanë ardhur 25 mijë deri në 30 mijë punonjës sezonalë nga Shqipëria dhe pritet që deri në fund të vitit të punësohen deri në 60 mijë punonjës.”

Hajdaraga komentoi dhe ngjarjen e fundit të ndodhur në Greqi, krimin e Glyka Nera, ku media greke deri në zbardhjen e autorit aludonin se vrasësit ishin shqiptarë. Hajdaraga përcjell mesazhin se dy shtete duhet të bashkëjetojnë harmonikisht midis tyre, duke lënë mënjanë paragjykimet.

“Ky rast tashmë konsiderohet i mbyllur, pasi policia e përcaktoi autorin e krimit. Sigurisht se deri në zbardhjen e krimit ka pasur disa pista hetimi, të cilat kanë krijuar aludime për grupe të anëtarëve të ndryshëm të huaj. Prandaj mediat duhet të jenë të kujdesshme. Mesazhi im është mos  bëhemi paragjykues, mos kultivojmë urrejtjen dhe të bashkëjetojmë harmonikisht, duke i lënë punën organeve kompetente.”

ora news