Thirrja e tryezës së parë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian mund të realizohet vetëm në muajin tetor. Në Luksemburg janë mbledhur sot ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare dhe Bullgaria nuk është tërhequr nga veto për Maqedoninë e Veriut.
Medit bëjnë me dije se në mesin e 27 vendeve anëtare nuk ka patur konsensus as për të ndarë Tiranën nga Shkupi, çka do të thotë se drita jeshile për negociatat nuk pritet të jepet në mbledhjen e lidërve të Bashkimit Europian që zhvillohet pas dy ditësh.
Ministri gjerman për Europën, Michael Roth u shpreh kundër bllokimit të këtij procesi me dy shtetet ballkanike.
Bëhet fjalë për besueshmërinë e Bashkimit Europian në Ballkanin Perëndimor. Në Këshillin e ministrave të BE-së do të diskutohet për fillimin e shpejtë të bisedimeve për integrimin e Shqipërisë dhe Maqedoninë e Veriut. Nuk e kuptoj pse vendimet e domosdoshme duhet të bllokohen nga konfliktet dypalëshe.
Fakti se Shqipëria i ka përmbushur kriteret për negociatat u konfirmua në fillim të mbledhjes nga përfaqësuesit e vendeve anëtare.
Holanda i dha dritën jeshile Shqipërisë që të nisë bisedimet për anëtarësim pasi plotësoi të gjitha kushtet. Ne kemi vendosur t’i japim vëmendje maksimale proceseve integruese. Shqipëria ka bërë progresin e mjaftueshëm për të nisur zyrtarisht bisedimet për anëtarësim.
Ideja e ndarjes së Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut u la e hapur nga komisioneri për zgjerim, Oliver Varhelei, gjatë vizitës që zhvilloi në Tiranë në muajin maj, ndonëse kjo ide ishte kundërshtuar më parë nga disa shtete anëtare.
Greqia, por edhe Gjermania, Austria e Sllovakia janë shprehur kundër ndarjes pasi sipas tyre vendimi do të jepte sinjal negativ për rajonin. Mbledhja e radhës e Këshillit Europian është parashikuar për në 21 dhe 22 tetor.
panorama al