Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka takuar këtë të premte shefin e seksionit të krimit të organizuar në SPAK, prokurorin Altin Dumani, të cilit thotë se i ka shprehur vlerësimin për rezultatet e arritura nga ky institucion.

Sipas Kim, SPAK do të vijojë të japë gjithnjë e më shumë rezultate që tregojnë se askush nuk është mbi ligjin.

“Unë u takova sot me Altin Dumanin, shefin e Seksionit të Krimit të Organizuar të SPAK, për t’i shprehur vlerësimin për ndjekjet e shumta që kanë rezultuar me burgim dhe konfiskim të pasurisë . SPAK do të japë gjithnjë dhe më shumë rezultate që tregojnë se askush nuk është mbi ligjin”, shkruan Kim në postimin e saj.

Dumani është prokurori që ka firmosur së fundi urdhër arrestin për kolegun e tij në Sarandë Sali Hasa, dhe për 5 persona të tjerë, të dyshuar kryesisht për vepra penale që lidhen me korrupsionin.

Sa i takon ambasadores Kim, ditë pas dite ajo jep mesazhe se organet e reja të drejtësisë kanë nisur nga puna, në një kohë kur besimi i qytetarëve shqiptarë ndaj tyre, ka ardhur duke u zbehur.

Reforma në Drejtësi, e cila ka qenë një projekt i mbështetur nga SHBA-të, prej disa vitesh ka futur në kolaps sistemin, ku shumë prej institucioneve vuajnë mungesën e punonjësve, një pjesë e të cilëve janë shkarkuar në sajë të Vettingut.

Fax