Tre orë pas masakrës në mesnatë në Velipojë, në orën 03:45 minuta të ditës së sotme, drejtori i policisë së qarkut Shkodër Niko Brahimaj ka zbuluar emrat e 4 viktimave dhe 2 të plagosurve.

Viktimat nga shkëmbimi i zjarrit janë; Kujtim Ferracaku 59 vjec, vëllezërit Xhovani dhe Edmond Gocaj 25 dhe 38 vjec dhe Myzerim Zeneli 20 vjec. Të plagosurit janë; Hasan Ferracaku 54 vjec dhe Elmedin Tyli 17 vjec.

Si nisi sherri?

Niko Brahimaj tha se gjithcka ka nisur në 00:30 pas sherrit për ndarjen e rërës për vendosjen e shezlongëve në plazhin para hoteleve të Kujtim Ferracaku, “Fantazia” dhe të Gocajve.

Pas debatit verbal, Kujtim Ferracaku bashkë me vëllanë, Hasanin që mbeti i plagosur janë përplasur me armë me vëllezërit Xhovani dhe Edmond Gocajn, që mbetën të vdekur nga plumbat.

Viktima e katërt është Myzerim Zeneli, punonjës i shezlongëve. Brahimaj tha se u sekuestruan kamerat e sigurisë së hoteleve dhe një pistoletë, ndërsa shtoi se “dyshohet se u përdorën dy armë“.

Policia thotë se Hasan Ferracaku dhe Elmedin Tyli dyshohen si autorë të përfshirê në konfliktin e armatosur. Shumë shpejt, tha Niko Brahimaj, do të ketë të arrestuar për masakrën.

Për hetimin dhe zbardhjen e ngjarjes menjëherë është ngritur një grup posaçëm hetimor me specialistë të strukturave hetimore në DVP Shkodër dhe të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve ndaj Personit dhe Jetës në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër.

Në ndihmë të Policisë vendore ka shkuar FNSH Shkodër dhe një grup i Forcave Speciale Renea. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e dokumentimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të kësaj ngjarjeje” mbyllet njoftimi i policisë Shkodër.

d.b/Abcnews.al