Milan iu kundërpërgjigj Inter, duke fituar 2 – 0 me Benevento këtë të diel. Një sukses që e mban në krye të Serie A edhe pas javës së 15 që hapi vitin 2021. Skuadra e Pioli edhe pse luajti për shumë minuta me 10 lojtarë pas daljes me të kuq të Tonali ia doli të marrë 3 pikët.
Golat u shënuan nga Kessie dhe Leao, ndërsa Caprari humbi penallti për Benevento. Më herët, Inter fitoi 6 – 2 me Crotone në San Siro. Pjesa e parë u mbyll në barazim 2-2, ndërsa pas pushimit ishte revanshi i Inter.
Lautaro Martinez spikati me 3 gola në këtë takim. Kjo ishte fitorja e tetë radhazi për zikaltërit në kampionat, një ecuri e tillë nuk përsëritej prej vitit 2008. Roma qëndroi në zonën Champions me suksesin 1-0 Sampdoria, po ashtu edhe Napoli që mundi 4 – 1 Cagliari në transfertë.