Rrëzimi i fundit nga anëtarët e BE-së i propozimit franko – gjerman për një samit me Rusinë, reflekton për të disatën herë se strategjia ruse në kufijtë e Europës po shndërrohet në kriter interpretimi për strategjinë e Perëndimit ndaj Rusisë. Dhe ky kriter po e ndan në mes Perëndimin që nuk po di të formulojë një doktrinë të unifikuar për atë se çfarë duhet të bëjë dhe sesi duhet të pozicionohet në një botë që po sfidon rendin ndërkombëtar të deritanishëm dhe vlerat që e mbajnë në këmbë atë.

Në një shkrim të djeshëm me autor dr. Jiri Valenta nga Council on Foreign Relations përforcon këtë kahje të zhvillimit të ngjarjeve që po e sheh Perëndimin të vendosur në pozicion difensiv dhe frenues ndaj një fuqie që për nga kapaciteti i vet qëndron shumë më poshtë, por që ka dëshmuar se di të përdorë aftësitë destabilizuese të periferisë europiane, në krizë strategjike të vendimmarrjes.

Gjeorgjia, Krimea, Ukraina dhe tani Bjellorusia, janë stacione ku ky raport po shihet qartë dhe në përballje të të cilit nuk po dihet sesi të veprohet. Gradualisht dhe me këmbëngulje, Rusia ka kaluar nga veprimet taktike dhe të vazhdueshme në strategji presioni të hapur duke intoksikuar perceptimin në Perëndim që po mendon se çdo provokim ndaj Kremlinit, ose është luftë totale, ose kompromenton interesa shumë të mëdha.

Operacioni rus i vitit 2021 ishte e kundërta e të qeniit i fshehtë. Ishte një shpallje e hapur, shumë e madhe e kapaciteteve ruse. Dispozitivi ushtarak rus sinjalizoi kështu një përshkallëzim të madh. Moska i zbuloi qëllimisht tanket e veta në mes të ditës, duke nënkuptuar se ai dispozitiv ishte kryesisht një demonstrim force që synonte indimidimin e kundërshtarit. Veprimet që urdhëroi Putin nuk ishin as stërvitje të rregullta, as testim, apo prelud i një pushtimi. Ato ishin një diplomaci shtrënguese dhe presioni

shkruan autori.

Fjala është për krizën e pranverës së këtij viti në kufijtë e Ukrainës, që u lexua nga shumëkush, qëllimisht apo jo, si përgatitje dhe gatishmëri e Moskës për një ndërhyrje në shkallë të gjerë në Ukrainë. Mënyra sesi Putin e menaxhoi situatën në planin informativ flet për lojën që zhvillohet nga Rusia.

Putin qëndroi i heshtur për javë rreth qëllimit të vërtetë të dispozitivit të madh ushtarak në kufirin ukrainas. Më në fund, pak përpara samitit të NATO-s, ai e deklaroi atë. Ai tha se Perëndimi nuk do të lejohet të kalojë “vijat e kuqe” të Rusisë dhe nëse e bën, Rusia do të përgjigjet ashpër, shpejt dhe në mënyrë asimetrike. Por cilat vija të kuqe? Putin nuk e sqaroi qartë, por vija e tij e kuqe për Ukrainën është kjo: Ukraina nuk duhet lejuar të bashkohet në Planin e Aplikitmi për Anëtarësim që çon në përfshirjen e saj në NATO

shkruan autori.

Në këtë kuadër, politika ruse nuk dallon nga ajo e dekadave të pas Luftës së Ftohtë: Zgjerim i BE-së po, por jo i NATO-s. Që këtej edhe kërkesa apo sugjerimi i vazhdueshëm i Kremlinit për një arkitekturë të re sigurie në Europë, duke synuar të ndajë objektivin ekonomik nga ai ushtarak, për ta lënë Europën jashtë mburojës amerikane, tani që edhe synimet ekonomike brenda Perëndimit divergojnë.

Shkrimi i cituar

Që këtej duhen kuptuar edhe pasojat e një ngjarjeje si BREXIT apo rritja e krahut të ekstremit të djathtë në Europë. Putin ka marrë koncesionin e administratës Biden edhe për gazsjellësin Nord Stream 2, duke zbuluar kështu një paradoks: akuzat ndaj administratës Trump ndërkohë që ajo bllokoi projektin dhe presonte kundër Europës për të, janë krejt të pavenda.

Është po ashtu paradoksale të shohësh se dy fuqitë që po bëjnë çmos të mos e provokojnë Ruinë, apo të mos bëjnë veprime që do lexoheshin si provokim, janë Gjermania dhe Franca që duket se kanë bllokuar edhe afrimin efektiv të Ukrainës në NATO. Pra duke shitur një vend të tërë dhe robëruar atë me eliminimin e lirisë strategjike dhe moskorigjimin e gjeopolitikës së vet.

Nëse do pranojmë se qëllimet e Putin dhe Rusisë janë këto, atëherë është e çuditishme sesi Europa nuk po di të përgjigjet përkundrejt një fuqie që ka të njëjtën politikë si ajo e viteve ’30 të shekullit të 20-të kur u përpoq me çdo mjet të mbante larg një fuqi si Gjermania.

Është e çuditshme të shohësh sesi historia përsëritet me dallimin se nëse Rusia leksionin e historisë e kapitalizon me politikë agresive në thelb mbrojtëse, Europa e tret në krizën e frikës së një gabimi të përsëritur të rreth 100 viteve më parë, prej nga ku doli me humbje kolosale. Pa ecur para, duke u bllokuar dhe paralizuar nën ankthin e një kohe tjetër. Ne mund të mësojmë shumë në Ballkan nga kjo pasiguri e madhe që në rendin e të mëdhenjve nuk tolerohet.

—-

S.Zaimi, ResPublica. Titulli është i redaksisëFacebookWhatsAppViberTelegramTwitterEmailShare