Gocat e ekranit bëjnë jo rrallëherë xing me njëra-tjetrën, por nuk mbeten pas as çunat. Së fundmi, Butrint Imeri dhe Ardian Bujupi janë vënë në shënjestër të syve vëzhgues të fansave, të cilët kanë vënë re se këngëtarët kanë veshur të njëjtën këmishë.
Ka qenë Ardiani ai i cili e ka veshur i pari te kënga “Peligrosa” dhe më pas edhe Butrinti nuk i rezitoi dot dhe e veshi te “Dale”, projekti i fundit i artistit të cilin e soli në bashkëpunim me Ledrin dhe Kidën.
Mesa duket këmisha e bardhë me printe verore “Casablanka” e cila ka vlerën e 300 eurove i ka vjedhur zemrën të dy artistëve, të cilët e kanë zgjedhur për klipet e projekteve më të fundit muzikore.
Kujtojmë se në mesnatën e 3 korrikut, Ledri Vula, Kida dhe Butrint Imeri publikuan bashkëpunimin e tyre të parë. Kënga mban titullin “Dale” dhe është një këngë mjaft ritmike, perfekte për verën.
“Dale” arriti miliona klikime brenda një kohe shumë të shkurtër dhe pa frikë mund ta cilësojmë si një nga hitet e këtij sezoni. Madje kënga ka kaluar kufijtë shqiptarë dhe po bën namin kudo në botë.
Artistët kanë publikuar shifrat ku tregojnë se kënga është “on top” në disa vende. Në Zvicër dhe në Shqipëri “Dale” është kënga e preferuar e momentit duke e renditur e para për sa i përket shikueshmërisë.
Në Maqedoni renditet e treta, ndërsa në Gjermani dhe Itali e pesta. Po ashtu “Dale” renditet e 11-ta në listë në Austri. Duke parë këtë sukses kaq të madh në një kohë të shkurtër, me siguri Kida, Ledri dhe Butrinti nuk do të kërkonin më shumë se kaq nga ky bashkëpunim.
icon style