MASAT E MARRA NGA POLICIA E SHTETIT, PËR SEZONIN TURISTIK 2021

Përshëndetje,

Policia e Shtetit ka planifikuar dhe ka marrë një serë masash, me qëllim krijimin dhe garantimin e kushteve sa më të mira të sigurisë, për pushimet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në zonat turistike për periudhën e sezonit turistik veror, duke nisur nga Pikat e Kalimit Kufitar, në akset kryesore rrugore për qarkullimin sa më normal të automjeteve, për parandalimin e kriminalitetit në qendrat dhe banesat ku jetojnë, zbatimin e orarit të ndalimit të muzikës, për menaxhimin e zhurmave në qendrat urbane apo zonat turistike.

Disa prej masave të sezonit turistik, në kuadër edhe të Task Forcës ndërinstitucionale të ngritur me Urdhër të Kryeministrit nr. 55 datë 24.6.2021, po zbatohen në bashkëpunim edhe me institucionet e tjera, të cilat kanë detyrime sipas legjislacionit në fuqi, akteve nënligjore, por edhe Planit të Masave të miratuara me urdhrin e mësipërm.

Që në ditën e parë të muajit korrik, në zonat turistike bregdetare, ku si rrjedhojë e masave të marra dhe e statusit të vendit tonë “si një vend i hapur dhe i sigurt” edhe përsa i përket pandemisë së COVID-19, për shkak të pritshmërisë së ardhjes së pushuesve vendas dhe të huaj janë angazhuar 1607 punonjës të Policisë së Rendit, Policisë Rrugore, Ndërhyrjes së Shpejtë, Kufirit dhe Migracionit, Policisë Kriminale etj, të cilat kanë në mbështetje edhe 185 mjete të tjera (autovetura, mikrobuzë, motoçikleta, biçikleta, mjete lundruese, radarë, dronë etj). Këto mjete do t’i shërbejnë rritjes së gatishmërisë së shërbimeve, reagimit në kohë ndaj situatave të prishjes së rendit apo të qetësisë, rregullimit të trafikut rrugor apo thirrjeve për emergjencë nga shtetasit për situata të caktuara që mund të kenë nevojë.

Referuar eksperiencës së viteve të kaluara, gjatë këtij sezoni turistik janë planifikuar në zonat e plazheve punonjës policie me uniformën verore dhe me biçikleta, të cilët kanë për detyrë të patrullojnë në këto zona për parandalimin e krimit, për forcimin e policimit komunitar dhe për t’iu ardhur në ndihmë pushuesve në nevojë.

Nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme e Policisë së Shtetit janë marrë masat për pajisjen e të gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit, me uniformën e re verore dhe po punohet për kompletimin e punonjësve të Policisë me këtë uniformë.

fax