Qeveria shqiptare ka nxjerrë sot një vendim me anë të së cilit njofton se do të mbështesë financiarisht bashkitë e qarkut Durrës për menaxhimin e mbetjeve, referuar kjo problematikës së ditëve të fundit, ku në të gjithë zonën e Durrësit dhe Kavajës, plehrat kanë mbytur rrugët e këtyre zonave, duke shaktuar një katastrofë të vërtetë ekologjike.

Sipas vendimit të firmosur nga zv.kryeministri Erion Braçe, bashkitë e qarkut të Durrësit të marrin masa të menjëhershme për gjetjen e zgjidhjeve për menaxhimin/trajtimin e mbetjeve urbane në këtë qark, duke mbajtur në konsideratë legjislacionin në fuqi në fushën e mbetjeve.

Po ashtu, pas studimit të tregut dhe gjetjes së zgjidhjeve më të mira financiare për trajtimin e mbetjeve urbane, në përputhje me standardet e menaxhimit të integruar të mbetjeve, nëse efektet financiare të zgjidhjes janë të pamjaftueshme për t’u përballuar nga buxheti i bashkisë përkatëse të qarkut të Durrësit, bashkia i drejtohet ministrisë përgjegjëse për financat, me qëllim mbulimin e diferencës së efekteve financiare të kërkuara.

Vendimi i plotë i qeverisë:

VENDIM Nr. 438, datë 15.7.2021 PËR MBËSHTETJEN FINANCIARE PËR MENAXHIMIN E MBETJEVE NËBASHKITË E QARKUT TË DURRËSIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës; të ligjit nr. 10431, datë 9.7.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar; të ligjit nr. 10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar; të neneve 10 e 22, pika 3, të ligjit nr. 139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”,të ndryshuar; të shkronjës “b”, të pikës 1, të nenit 28, të ligjit nr. 68/2017, “Për financat e vetëqeverisjes vendore”, dhe të ligjit nr. 9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar; me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit dhe të ministrit të Financave dhe Ekonominë, Këshilli i Ministrave VENDOSI:

Bashkitë e qarkut të Durrësit të marrin masa të menjëhershme për gjetjen e zgjidhjeve për menaxhimin/trajtimin e mbetjeve urbane në këtë qark, duke mbajtur në konsideratë legjislacionin në fuqi në fushën e mbetjeve.
Pas studimit të tregut dhe gjetjes së zgjidhjeve më të mira financiare për trajtimin e mbetjeve urbane, në përputhje me standardet e menaxhimit të integruar të mbetjeve, nëse efektet financiare të zgjidhjes janë të pamjaftueshme për t’u përballuar nga buxheti i bashkisë përkatëse të qarkut të Durrësit, bashkia i drejtohet ministrisë përgjegjëse për financat, me qëllim mbulimin e diferencës së efekteve financiare të kërkuara.
Pas dërgimit të kërkesës financiare, ministritë propozuese të këtij akti i propozojnë Këshillit të Ministrave miratimin e mbështetjes financiare për bashkitë e përfshira në qarkun e Durrësit, në përputhje me instrumentet e parashikuara në legjislacionin në fuqi.
Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, bashkitë e qarkut të Durrësit, këshilli i qarkut përkatës dhe Prefekti i Qarkut Durrës për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare.
ZËVENDËSKRYEMINISTËR, Erion Braçe!

fax