Numri i të personave të helmuar në Deçan është duke shënuar rënie. Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan, Selmon Berisha ka treguar se situata e krijuar prej një javë atje është duke shkruar drejt përmirësimit.

Ai ka treguar se në 24 orët e fundit janë 74 persona të cilët janë duke marrë terapi. Berisha ka  theksuar edhe se personat që po kanë simptoma më gjatë nuk duhet shqetësohen sepse një gjë e tillë është e rikuperueshme.

“Lirisht mund të them se gjendja është në përmirësim e sipër. Numri i pacientëve është në rënie që na jep me kuptu në aspektin klinik që jemi në bishtin e epidemisë si quhet në gjuhën e mjekësisë. Do me thënë në 24 orët e fundi i kemi vetëm 74 të cilët janë duke marrë terapi me simptomatologji që kishin deri më tani. Mirëpo mbesin një numër i konsideruar i pacientëve tek të cilët është shkaktuar ndoshta një infeksion më i rëndë. Por pacientëve të cilëve iu zgjat pak më tepër nuk duhet të shqetësohen përshkak se kjo është e rikuperueshme. Këshilloj pacientët e Deçanit që atyre që iu zgjat më shumë mos të shqetësohen sepse varet prej nivelit të infeksionit”, tha Berisha për KosovaPress.

Ndërsa vetëm gjatë kësaj të diele janë 67 persona që kanë kërkuar ndihmë në QKMF-në e Deçanit.

“Pacientët që kanë marrë ndihmë sot janë 67, mund të ketë edhe ndonjë numër tjetër që është trajtuar në Mjekësi Familjare dhe Pediatri por është e pritshme dhe ne po presim që në këtë formë të bie edhe numri i pacientëve”, tregoi ai.