Lewis Hamilton ka qenë cak i sulmeve dhe fyerjeve raciste në rrjetet sociale, pasi e fitoi Çmimin e Madh të Britanisë në garën e Formula 1 të dielën.
Hamilton u dënua me 10 sekonda pasi u përplas me rivalin për titull, Max Verstappen, gjatë xhiros së parë të garës, nga e cila holandezi doli i dëmtuar dhe përfundoi në spital, raporton Gazeta Express.
Derisa Verstappen u dërgua në spital ku e kaloi natën, Hamilton doli i pari edhe pse dënimi prej 10 sekondave e kishte kthyer në pozitën e katërt kur rinisi gara.
Vozitësi britanik u akuzua nga shumë si shkaktar i aksidentit, përfshirë edhe nga Verstappen, dhe si pasojë ai u përballë me fyerje dhe sulme raciste në rrjetet sociale gjatë 24 orëve të fundit.Reklamë
Abuzimi që iu bë atij online është dënuar nga Mercedesi, Formula 1 dhe organi qeverisës FIA.
“Këta njerëz nuk kanë vend në sportin tonë. Ne bëjmë thirrje që përgjegjësit e këtyre sulmeve të japin llogari për veprimet e tyre”, shkruhet në një komunikatë të përbashkët të tyre.
“Formula Një, FIA dhe pilotët dhe ekipet po punojnë së bashku për ta ndërtuar një sport më gjithëpërfshirës dhe më të shumëllojshëm dhe raste të tilla të papranueshme të abuzimit online duhet të eliminohen”, shtoi ai. /Gazeta Express/