Në një konferencë për mediat, zv.kryetari i Lëvizja Socialiste për Integrim Luan Rama i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama, i cili një ditë më parë foli për projektin “LSI në skrap”.
Sipas Luan Ramës, gjuha e urrejtjes, mllefi dhe armiqësia e kryeministrit nuk është diçka e re.
“Prej ditësh Kryeministri vetë, por me porosi dhe me urdhër të tij, edhe çeta e eunukëve të tij të pushtetit, nuk po e ndajnë nga goja refrenin e dëshirës së tyre paranojake për të zhbërë LSI-në dhe siç thotë Kryeministri i kompleksuar dhe i frikësuar: ‘për ta çuar atë për skrap!’
Natyrisht gjuha e urrejtjes, mllefi dhe armiqësia ndaj një pjese të shqiptarëve, siç është armata e gjerëve e anëtarëve, mbështetësve, votuesve dhe simpatizantëve të LSI-së, nuk është një gjë e re në karakterin e Kryeministrit dhe as në natyrën e tij.
Ajo është në thelb e gjithçka ai përfaqëson, jo vetëm për anëtarët, simpatizantët dhe votuesit e LSI-së, por për të gjithë qytetarët shqiptarë, natyrisht përjashtuar atë pakicë eunukësh që e ndjekin atë nga pas për shkak të lidhjeve korruptive apo interesave kriminale”, u shpreh ndër të tjera Luan Rama gjatë një konference për mediat.
Sipas zv.kryetarit të LSI, duke u marrë me Lëvizjen Socialiste për Integrim, me anëtarët, me simpatizantët, me votuesit e saj kryeministri nuk mund ta fshehë dështimin e tij në qeverisje.
Më pas, Luan Rama publikoi pamje nga qyteti i Vlorës, ku kryeministri është deputet, për të parë sipas tij, se cila është e vërteta, cili është realiteti që fshihet pas demagogjisë dhe pas retorikës së tij bajate.
“Natyrisht nuk kanë nevojë për koment, se pamjet flasin vetë, por le të dëgjojmë çfarë thonë qytetarët, në këtë zonë që është vetëm pak metra prapa pallateve të ‘Lungo Mares’, apo në zonën që njihet si lagjja ‘7 pallatet’.
Pra, duket qartë, të dashur qytetarë, motra dhe vëllezër shqiptarë, që Edi Ramës nuk ia ka fajin LSI-a, Edi Ramës ia ka fajin babëzia. Edi Ramës nuk ia ka fajin LSI-a, por Edi Ramës ia ka fajin ligësia, ligësia e shprehur edhe përmes gjuhës së tij të urrejtjes dhe të armiqësisë, për të përveçuar një pjesë të shqiptarëve e për të ndërsyer ndaj tyre pjesën tjetër”, u shpreh Luan Rama.
Gjatë konferencës së djeshme për mediat, kryeministri Edi Rama ndër të tjera do të shprehej: “Çuarja për skrap e LSI, praktikisht është një projekt i përbashkët me Lulzim Bashën por I tradhtuar nga Lulzim Basha. Se unë nuk e kam tradhtuar atë projekt. Unë vazhdoj të besoj te ai projekt. Lulzim Basha e ka tradhtuar projektin se ishte ai që e ndau me demokratët domosdoshmërinë për të çuar LSI për skrap. Ishte ai që u betua që nuk do të ketë më matrapazllëqe me LSI-në, shpk-ra dhe gjëra të tilla.
Dhe sot është një aksioner në shpk-në e 4 ortakëve, ku ai është ortak minorance në faktikisht se, ortakët e vërtetë janë Saliu dhe Ilir Meta.
LSI është projekt që duhet zhbërë, këtu nuk është çështje personash. Unë gjithmonë kam besuar se nuk janë njerëzit që korruptojnë sistemet, por sistemet korruptojnë njerëzit. Unë besoj që LSI-ja është një sistem që duhet çmontuar komplet. Kështu besoj, kam besuar dhe besoj”.
“Do çonte LSI për skrap”, Rama: Basha më tradhtoi, unë jo
Oranews.al