Një familje me 6 anëtarë po jeton në kushte të vështira në një barake në Tiranë, ndërsa nëna e katër fëmijëve i bën thirrje Bashkisë për ndihmë. Floresha Rruqa thotë se me të ardhurat që fiton nga bashkëshorti nga puna e zezë nuk sigurojnë dot as bukë mjaftueshëm, ndërkohë që gjendja e barakës ku jetojnë u rrezikon edhe shëndetin nga reshjet e shiut dhe i ftohti.

Kjo është streha e vetme për familjen Rruqa me 6 anëtarë. Prej 4 vitesh jetojnë në këtë kasolle të dhënë nga Bashkia ku pothuajse gjithçka mungon.

Reshjet e shiut ua kanë vështirësuar jetesën ku për tu mbrojtur kanë vënë një govatë.

“Çfarë bie jashtë, hyn brenda. Shumë kushte të vështira.”

E zonja e shtëpisë, Floresha Rruqa, thotë se jetojnë vetëm me fitimet që kryefamiljari nxjerr nga mbledhja dhe shitja e hekurave.
“Çfarë punon burri, hamë ne. Punon me hekura.”
Thotë se kur fëmijët i kërkojnë diçka, në shumicën e rasteve nuk ka me se çfarë tua blejë.

“Dy fëmijët janë në shkollë, më kërkojnë gjëra por nuk kam. I gjej nëpër plehra, i laj dhe ua vesh se nuk kam.”

Ndaj Bashkisë i apelon për ndihmë pasi deri tani nuk ka përfituar asgjë, ndërkohë që të ardhurat që fiton bashkëshorti nuk mjaftojnë as për bukë për familjen me 6 anëtarë.

“Nuk kemi ndihmë nga shteti, të më ndihmojnë fëmijët të paktën.”

Megjithë gjendjen e vështirë, 37-vjeçarja thotë se ende nuk i ka humbur shpresat dhe besimin se dikush mund ti shkojë në ndihmë.

Oranews