Gjykata e Posaçme e Apelit ka marrë vendimin për të lënë në fuqi hetimin e anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, Alban Toro, nga ana e SPAK.
Menjëherë pas marrjes së këtij vendimi, avokatët e SPAK kanë kërkuar që Toro të pezullohet si anëtar i KLGJ-së deri në fund të hetimeve për të.
Toro, sipas avokatëve Anti-Korrupsion, akuzohet për ‘falsifikim dokumentesh’ dhe ‘deklarim të pavërtetë’.
Pak kohë më parë, Gjykata e Posacme urdhëroi SPAK të regjistrojë procedim penal për anëtarin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Alban Toro.
Vendimi u mor nga gjyqtarja Ilirjana Olldashi, pas shqyrtimit të ankimit të bërë nga shoqata e avokatëve Antikorrupsion.
Sipas shoqatës që bëri kallëzimin, Toro ka gënjyer Kuvendin për punën e tij si avokat dhe u zgjodh në KLGJ në kundërshtim me ligjin.
Sipas ligjit, anëtari i KLGJ duhet të ketë 10 vite pune avokat pa ndërprerje.
Duke iu referuar të dhënave të qendrës kombëtare të biznesit rezulton se Alban Toro nga data 02 Mars 2010 deri në datën 20 shtator 2011 e ka pezulluar ushtrimin e aktivitetit si avokat për afro 1 vit e gjysmë, por kjo nuk është pasqyruar në dokumente.