Ditën e sotme pritet të mbërrijë në Shqipëri kontigjenti i parë i shtetasve afganë. Bëhet me dije se 300 personat e parë mbërrijnë në aeroportin e Rinasit rreth mesditës së sotme së sotme.
Ky grup pritet të akomodohet në disa prej godinave në ‘Qytet Studenti’, ku ditën e djeshme u bë dhe zbarazja nga studentët që ndodheshin aty, të cilët të papërgatitur u detyruan të linin dhomat e tyre dhe të lëviznin në godina të tjera.
Siç shihet në ambientet e Forcës Ajrore në Rinas janë ngritur çadra ku fillimisht do të priten refugjatët afganë.
Aty janë bërë përgatitjet e nevojshme me mjete dhe staf mjekësor ku refugjatët duhet të bëjnë kontrolle dhe analiza pët gjendjen e tyre shëndetësore, ku nuk përjashtohet mundësia që të ketë edhe të plagosur apo të sëmurë në radhët e tyre.
Burime i thanë FaxNeës se refugjatët e parë do të zbresin rreth mesditës në pistën aeroportuale të Forcës Ajrore të Rinasit, ku do të jenë të pranishëm edhe zyrtarë të lartë, përfshirë anëtarë të kabinetit qeveritar apo të zyrave diplomatike.
Kujtojmë se në total pritet të mbërrijnë në vendin tonë 2000 shtetas nga Afganistani, bashkëpunëtorë të ShBA-ve dhe NATO-s në luftën 20-vjeçare, një pjesë e të cilëve pritet të akomodohet në konviktet e QS dhe pjesa tjetër në hotele në zonën e Durrësit.