Portofoli i Paul Grisham kishte humbur prej kohësh thuajse në fund të botës dhe ai e kishte harruar si histori. Por 53 vjet më vonë, 91-vjeçari nga San Diego në SHBA e ka rigjetur atë së bashku me dokumentet e misionit të tij 13-mujor si meteorolog i ushtrisë amerikane në Antarktikë.
“Është e pabesueshme,” tha Grisham për gazetën lokale, kur iu kthye portofoli nëj ditë më parë. “Kishin qenë një numër i konsiderueshëm njerëzish që kishin bashkëpunuar për të kërkuar dhe gjetur për ta kthyer atë”.
Portofoli i tij mbante kartën e identitetit të marinës së SHBA, patentën, një fletushkë me udhëzime se çfarë duhet të bësh në rast të një sulmi bërthamor, kimik ose biologjik, kupona ushqimi dhe fatura të parave të dërguara për të shoqen.
Grisham, i cili është rritur në Douglas, Arizona, u regjistrua në marinën e SHBA në 1948. Ai u bë fillimisht teknik i motit dhe më pas meteorolog. Në vitin 1967 ai u dërgua në Antarktikë si pjesë e operacionit Deep Freeze, në mbështetje të shkencëtarëve atje. Asokohe ai ishte në të 30-at dhe kishte dy fëmijë të vegjël.
Në një moment ai kishte humbur portofolin e tij në vendndodhjen e largët, i cili u gjet në menyre te pashpjeguar ne 2014, gjatë shkatërrimit të një ndërtese në McMurdo. Por gjurmimi i të zotit të sendit të gjetur kërkonte shumë email-e, mesazhe në Facebook madje dhe punë investiguese.
Stephen Decato dhe e bija e tij Sarah Lindbergh, kishin punuar më parë në kthimin e sendeve të gjetura të një ushtaraku. George Blaisdell i kishte dërguar Decato dy portofolë të gjetur gjatë shkatërrimit të ndërtesës në McMurdo dhe Lindbergh kishte zbuluar Grisham nga të dhënat e shërbimit meteorologjik të Marinës. Edhe portofoli i dytë iu kthye familjes së një burri të vdekur në 2016.
Grisham tregonte më tej për mediat se ishte e vështirë të kuptojë madhësinë dhe largësinë e Antarktikës. Luksi i vetëm ishte një gotë Martini pas pune, dhe një herë në javë që ai kontaktonte me të shoqen Wilma, me anë të radiove me valë të shkurtra. Grisham la punën në marinë në vitin 1977.
Top Channel