Presidenti i parë në botë që ka udhëtuar me aeroplan nëpër botë ka qenë presidenti amerikan Theodor Roosvelt, por atë e bëri një vit pasi la postin e presidentit. Ai udhëtimin e realizoi në vitin 1910 më aeroplanin që asokohe njihej si Flyer B.
Pas tij kanë ardhur princi uelsian, e më vonë mbreti Edward VIII, që muaj më vonë hoqi dorë nga froni. Vëllai i tij më i ri George VI gjithashtu ka fluturuar me aeroplan pak para Luftës së Parë Botërore – përkatësisht në mars të vitit 1918, transmeton Telegrafi.
Shembujt e tyre i kanë ndjekur edhe presidentët e tjerë, mbretërit dhe trashëgimtarët e froneve, e pas Luftës së Dytë Botërore, të rralla kanë qenë ato vende që kanë pasur flotën e aeroplanëve presidencial.
Edhe sot kur janë në pyetje aeroplanët me të cilët udhëtojnë presidentët, na shkon mendja menjëherë te aeroplani special presidencial i SHBA-ve ndryshe i njohur si Air Force One.
Fluturaket që i përdorin superfuqitë janë më të veçantë dhe të punuar me përkushtim dhe detaje, që pak kush në opinion di për to. Për këtë shërbejnë edhe si qendra komanduese në rast se vjen deri te shpërthimi i ndonjë lufte.
Deri në Luftën e Dytë Botërore, presidentët amerikanë rrallë herë kanë udhëtuar jashtë vendit, por zhvillimi i trafikut ajror e ka ndryshuar një praktikë të tillë. Kështu Theodor Roosevelt ishte presidenti i parë amerikan që gjatë vizitave zyrtare përdorte aeroplanin.
Ishte modeli Boeing 314 i njohur si anija fluturuese, me të cilën udhëtonte gjatë konferenca në Casablanca. Pas Boeing 314, rolin e aeroplanit presidencial e morën C-87A Liberator Express (varianti i bombarduesit civil B 24 liberator), C-54 Skymaster” që ishte i destinuar enkas për Rooseveltin, pasi përdorte karrocë invalidësh.
Nga periudha 1958 e deri më 1990 presidenti amerikan përdor Boeing 707 që do të hyjë në historinë botërore, pasi që betimin presidencial brenda tij e ka bërë presidenti amerikan Lyndon Johnson në vitin 1963, derisa po kthehej nga Dallasi me trupin e pajetë të presidentit të vrarë John Kennedy.
Me rritjen e rolit të presidentit amerikan në raportet ndërkombëtare, ashtu u rrit edhe aeroplani presidencial i njohur si Air Force One – nga një aeroplan i zakonshëm është shndërruar në një qendër komanduese. Të paktën kështu pretendon John King nga Shtëpia e Bardhë. Sot presidenti amerikan John Biden dhe paraardhësit e tij kanë në dispozicion dy aeroplanë Boeing 747-200B me mbishkrimin VC-25A dhe me numrat serik 28.000 dhe 29.000 që ekskluzivisht shërbejnë për transportimin e presidentit amerikan.
Kur shikohet nga jashtë Air Force One – Boeing 747-200B duket si një aeroplan i zakonshëm, megjithatë ai larg asaj. Ajo çfarë e dallon nga aeroplanët e tjerë presidencial, janë pajisjet. Qasje në një fluturake të tillë nuk ka çdokush, përveç presidentit, bashkëpunëtorët dhe ekuipazhit që janë anëtarë të veçantë të forcave ajrore dhe shërbimit sekret, e politikanët e nivelit më të ulët dhe gazetarët kanë qasje në pjesë të caktuara.
Këtë fluturake e vënë në lëvizje katër motorë të General Electric CF6-80C2B1, me një fuqi prej 25.515daN. Me vetëm një mbushje të rezervuarit prej 202.917 litra ai mund të përshkoj 12.480 kilometra. E pesha maksimale e fluturakes gjatë udhëtimit në distanca të largëta është 374.850 kilogramë, e lartësia maksimale e fluturimit është 13.530. Distanca e krahëve është 58.8 metra, gjatësia e aeroplanit 65.9 dhe lartësia 19.
Kjo fluturake ka kapacitete të mbushjes së rezervuarit derisa është duke fluturuar. Brendësia e saj është e destinuar për udhëtime të gjata. Vetë fluturakja përbëhet nga tre nivele që fillon nga ai më i ulëti për të përfunduar në më të lartin.
Niveli i tretë shërben për bagazh (valixhe, ushqim, ujë e pajisje). I mesmi apo i dyti përdoret për akomodimin e presidentit dhe pasagjerëve tjerë, kurse në nivelin e parë gjendet kabina dhe pajisjet komunikuese, derisa për lëvizjen mes nivelit të parë dhe të tretit përdoren shkallët.
Dhomat për presidentin dhe familjen e tij, zyrat e tualetet gjenden në pjesën e përparme të nivelit të mesëm të fluturakes. Në të gjenden hapësira për ekuipazhin edhe personelin tjetër përcjellës. Hapësira e përgjithshme në brendësi të aeroplanit shtrihet në 360 metra katrorë. Në Air Force One mund të akomodohen 70 pasagjerë dhe 26 anëtarë të ekuipazhit.
Gjatë një fluturimit shpërndahen afro 2 mijë shujta më ushqim, që mund të jenë të mjaftueshme për 100 persona. E për raste më të këqija, në aeroplan gjendet salla për ndërhyrje kirurgjike dhe të gjitha pajisjet e barnat e nevojshme.
Ndryshe nga aeroplanët e zakonshëm, ai presidencial ka shkallët mobile që çojnë drejt veturës, kështu nuk varet nga ato të aeroportit. Ajo çfarë e bën më unike fluturaken janë pajisjet e sofistikuara elektronike, dhe sistemi i komunikimit që i mundësojnë lidhje stabile me ushtrinë dhe qeverinë në cilëndo pjesë të vendit ku presidenti amerikan aktualisht gjendet.
Është interesant që aeroplani ka 85 linja të sigurta telefonike, kompjuterë, pajisje televizive dhe 19 televizorë. Për lidhjen e të gjitha pajisjeve janë përdorur 500 metra kabllo që është dy herë më shumë sesa një aeroplan standard.
Të gjitha pajisjet elektronike janë të mbrojtura nga valët elektromagnetike që lirohen gjatë një shpërthimi bërthamor. Sekreti më i madh i fluturakes është sistemi i avancuar për mbrojtjen e raketave kundërajrore apo atyre të lansuara nga aeroplanët luftarakë armik. Fluturakja posedon pajisje për të penguar radarët e armikut dhe atyre për lansimin dhe përcjelljen e raketave.
Senzorët e veçantë paralajmërojnë ekuipazhin për lansimin e raketave në drejtim të fluturakes. Çdo mision i Air Force One trajtohet si një fluturim i forcave ajrore amerikane. Baza amë e ekuipazhit të aeroplanit është baza Andres në Maryland.
Pranë dy aeroplanëve Boeing 747 në flotën e fluturakeve të presidentit amerikan, gjenden edhe aeroplanë tjerë siç janë ata transportues C-5 Galaxy – me të cilët barten limuzina e blinduar dhe veturat tjera të eskortës së presidentit.
Top Channel